Lidhje

Lu: Po shqyrtojmë pretendimet e ngritura për çështjen e vëllait të ministrit Xhafaj


Ambassador Donald Lu
Ambassador Donald Lu

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu tha sot se janë duke shqyrtuar pretendimet e ngritura në lidhje me vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Komentet e ambasadorit Lu erdhën si reagim ndaj deklaratave të djeshme në parlament të kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit nëse do të kishte patur implikim të ministrit Xhafaj, ambasadori amerikan do të kishte qenë i pari që do të kishte folur.

“Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tone”, u përgjigj sot në reagimin e shkurtër ambasadori amerikan.

Opozita e ka akuzuar zotin Xhafaj se i ka dhënë mbrojtje vëllait të tij, të arrestuar në vitin 2002 në Itali dhe i dënuar në 2012 me 7 vjet e dy muaj burg, për pjesmarrje në organizata kriminale që merreshin me trafik lëndësh narkotike. Ajo ka bërë përgjegjës zotin Xhafaj se, në pozitën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, ka ndërhyrë vitin e shkuar, duke bërë një ndryshim në kodin e procedurës penale që sipas saj mbron direkt të vëllanë e tij.

Anëtarja e Komisionit, socialistja Vasilika Hysi hodhi sot poshtë pretendimet e opozitës duke deklaruar se neni të cilit ajo i referohet është reflektim i Konventës europiane. Por demokratët reaguan sërish duke e quajtur të pavërtetë një deklarim të tillë dhe duke kërkuar që prokuroria të nisë procedim penal ndaj zotit Xhafaj për falsifikim të dokumenteve shtetërore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG