Lidhje

Bisedimet për anëtarësim, ministri gjerman në Tiranë


Në Tiranë, ministri gjerman i Shtetit për Çështjet europiane Michael Roth, tha sot se “argumentat për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin europian nuk mungojnë”. Ai i bëri këto komente në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.

Roth u shpreh se Shqipëria “ka shënuar një sërë arritjesh të rëndësishme”, duke u ndalur në veçanti të procesi i rivelrësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve “një proces unik nga karakteri i tij, i cili shërben si model për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, një proces që ka nisur “dhe ka filluar të tregojë rezultatet e veta”. Ai tha se gjatë takimeve me kryeministrin shqiptar dhe me ministrin e Brendshëm ka diskutuar reth luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. “Sigurisht të gjitha këto janë fusha në të cilat ne kemi ende pritshmëri për suksese të mëtejshme”, tha si duke vlerësuar ngritjen e Task Forcës për luftën kundër grupeve kriminale.

“Zhvillimet e vendit tuaj në të gjitha këto kontekse janë verifikur tanimë nga Komisioni Evropian i cili në 17 prill ka dhënë edhe rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim të vendit tuaj. Qeveria Federale – u shpreh zoti Roth - është duke verifikuar të gjitha këto arritje, sigurisht në koordimin të ngushtë me Bundestagun gjerman dhe pikërisht në bashkëpunim me të ne do të pozicionohemi në të ardhmen lidhur me çeljen e këtyre negociatave”, deklaroi ministri gjerman duke qëndruar në linjë me deklarata e dy javëve me parë të kancelares Angela Merkel para takimit ne Berlin me kryeministrin Edi Rama.

Gjermania shihet si ndër vendet e pavendosura, kryesisht për shkak të hezitimit të shprehur nga anëtarë të parlamentit të saj. Në pikëpyetje është dhe qëndrimi i Hollandës, ku dhe aty, vendimi do të duhet të kalojë përmes parlamentit. Pak ditë më parë një grup deputetësh përfaqësues të 7 forcave politike hollandeze ishin në Tiranë në një mision faktmbledhës. "Ndaj propozimit të Komisionit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, qeveria jonë është ekstremisht hezituese”, deklaroi per mediat deputeti kristiandemokrat Pieter Omtzigt. Edhe Franca nga ana e saj është në mëdyshje, për shkak të problematikës së krijuar vitin e shkuar me fluksin e lartë të kërkesave për azil nga Shqipëria, ndonëse muajt e fundit ka patur një rënie të ndjeshme të këtyre kërkesave. Të martën, kryeministri Edi Rama do të ketë një takim në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron, për të diskutuar pikërisht rreth hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Ashtu si dhe Gjermania, Franca ka një peshë të rëndësishme në vendimmarrjen e Këshillit europian në qershor, ku një vendim në favor duhet të merret në unanimitet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG