Lidhje

Vëllai i Xhafajt, debati mbi deklaratat e dëshmitarit


Në Shqipëri vazhdojnë polemikat rreth deklarimeve të një ish të dënuari, Albert Veliu, i cili akuzon vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj se ka vijuar të merret me trafikun e lëndëve narkotike. Vetë zoti Xhafaj e cilësoi atë sot si një sajesë të opozitës. Në të njejtën linjë u shpreh dhe kryeministri Edi Rama. Ndërkohë që Partia Demokratike dhe forcat e tjera opozitare njoftuan zhvillimin e një proteste më 26 maj, për të kërkuar largimin e zotit Xhafaj

Albert Veliu, njeriu që 24 orët e fundit është kthyer në personazhin kryesor, rreth të cilit po vërtitet debati politik në vend, pas deklaratave të djeshme ku ai pretendon se ka folur me vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte sot për më shumë se 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të rënda. Një ditë më parë, ai dha shpjegime në Prokurorinë e Tiranës, rreth bisedës së përgjuar, që ai thotë se a zhvilluar me Agron Xhafajn. Sot atij ju morën edhe kampionët e zërit për të bërë verifikimet e mëtejshme të bisedës audio.

Tiranë, polemikat për vëllain e ministrit Xhafaj
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Veliu ka qenë më parë i dënuar në Itali për trafik heroine dhe më pas në Shqipëri për një tjetër vepër penale. Deklarimet e tij se ka biseduar me vëllanë e ministrit për trafikimin e një sasie marijuanë, gjë të cilën e kishte bërë, siç është shprehur, për hakmarrje ndaj tij, janë konsideruar sot nga zoti Xhafaj si një sajesë e opozitës: “Detyra ime është të punoj për Prokurori speciale, për Polici speciale. Detyra e tyre është të punojnë për "qytetarin dixhital" të sajuar. Kjo s’është çështja ime, është çështje e tyre. Unë kam zgjedhur këtë rrugë, ata kanë zgjedhur atë rrugë. Për mua është shumë e rëndësishme të bëj detyrën”.

Vëllai i zotit Xhafaj, i cili dy ditë më parë shkoi në Itali për të vuajtur dënimin e marrë në 2012, ka hedhur poshtë kategorikisht që të ketë biseduar me Veliun.

Edhe kryeministri Edi Rama i porsakthyer nga samiti i Sofies, foli për një përpjekje të opozitës për të penguar hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin europian, “dhe në një kuptim, unë e falënderoj Partinë Demokratike që e bëri shumë të lehtë demaskimin e kësaj maskarade me atë shfaqje që dha dje në skenën e teatrit të SHQUP-it.”, deklaroi zoti Rama.

Nga ana e saj opozita i qëndron faktit se deklarata e Veliut dëshmon sipas saj, se vëllai i ministrit ka vijuar aktivitetin e tij të trafikut të lëndëve narkotike. Nga selia e PD, drejtuesit e partive opozitare njoftuan organizimin e një proteste javën e ardhshme. “Ne nuk mund të humbasim më kohën dhe energjitë tona çdo ditë duke u marrë me kriminelin e radhës në politikë. Është koha t’u themi sot "Ndal" të gjithë politikanëve të lidhur me krimin. Është koha që të mbyllim një herë e mirë kapitullin e krimit në Shqipëri. Sot Edi Rama po mbron Fatmir Xhafajn, por ne do ta largojmë atë dhe kupolën mafioze me Edi Ramën në krye. Mbajtja e Fatmir Xhafës si Ministër i Brendshëm është kosto për Shqipërinë, është goditje për drejtësinë”, - deklaroi kryetari demokrat Basha.

Sa i takon Veliut, ai për momentin po pyetet si një person që ka dijeni për rrethanat e një ngjarjeje dhe nuk dihet nëse do të ndryshojë ose jo statusi i tij në raport me Drejtësinë. Prokuroria ka thirrur gjithashtu edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të cilët pak ditë më parë publikuan regjistrimin audio.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG