Lidhje

Çështja Xhafa, tre përfaqësues të PD në Prokurori


Në Shqipëri, dy deputetët e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji, si dhe këshilltari ligjor Gazmend Bardhi u paraqitën sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë shpjegime rreth përgjimit të bisedës që sipas opozitës ështe kryer mes Albert Veliut, një ish i dënuar dhe vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj

Deputetët Alibeaj e Salianji si dhe këshilltari Bardhi, ishin ata që bënë publik materialin audio, i cili, sipas rrëfimit të Albert Veliut, ishte biseda që ai kishte bërë me vëllanë e ministrit për të siguruar një sasi marijuane për t'a trafikuar në Itali. Vëllai i ministrit Agron Xhafaj, i cili pak ditë më parë u nis për në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë nga Drejtësia italiane, ka mohuar të ketë folur me Veliun. Kryeministri Rama dhe vetë ministri Xhafaj kanë folur për një material të rremë e jo autentik.

Ndryshe nga Veliu i cili tha se nuk kish qenë në dijeni të përgjimit, në fundjavë gazetari Jetmir Olldashi deklaroi se kish qenë ai autori i saj, dhe se pajisjen e kishte vendosur në trupin e Veliut.
Përfaqësuesit demokrat thanë sot pas daljes nga Prokuroria se hetimet sipas tyre duhet të kishin përfshirë në të vërtetë vëllain e ministrit dhe jo të merren në pyetje denoncuesit.

Kjo çështje u bë sot objekt përlasjesh e polemikash dhe në komisionet parlamentare ku përfaqësuesit e opozitës kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, ndërsa të shtunën është paralajmëruar organizimi i një proteste në kryeqytet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG