Lidhje

Presidenti Trump vlerëson drejtoreshën e re të CIA-s


Gina Haspel bëri dje betimin si Drejtoreshë e Agjencisë Amerikane të Zbulimit, CIA-s, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë agjenci të rëndësishme. Zonja Haspel i mbijetoi kritikave të ligjvënësve të të dyja partive, për përfshirjen e saj në torturimin e të dyshuarve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump, që ishte i pranishëm në ceremoni, vlerësoi aftësinë e saj për të kapërcyer ato që ai i e quajti “një numër i madh politikash negative” dhe tha se asnjë person tjetër nuk ishte më i kualifikuar se ajo për këtë post.

Presidenti Trump ishte i pranishëm, ndërsa nënpresidenti Mike Pence drejtoi ceremoninë e betimit të drejtoreshës së re të CIA-s.

"Askush në këtë vend nuk është më i kualifikuar se ju Gina për këtë detyrë të jashtëzakonshme", i tha presidenti zonjës Haspel.

Gina Haspel ka punuar për CIA-n që nga viti 1985, në pozicione të ndryshme, kryesisht si agjente e fshehtë.

Roli i saj në marrjen në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm, përfshirë përdorimin e torturave, u bë pengesë për avancimin e saj në karrierë gjatë administratës së mëparshme amerikane, edhe pse metoda të tilla të marrjes në pyetje ishin të ligjshme në atë kohë.

“Ajo ç’ka vë unë në dyshim është besnikëria e saj ndaj një vlere thelbësore të kombit tonë. Të gjithë njerëzit kanë të drejta të caktuara, të patjetërsueshme, ne besojmë se dinjiteti themelor i qenieve njerëzore është i papajtueshëm me praktikat ç’njerëzore, sikurse torturat", tha senatori demokrat i Vermonitit, Patrick Leahy.

Nuk dihej me siguri në se Senati do ta konfirmonte kandidaturën e zonjës Haspel si drejoreshë e CIA-s, ngaqë edhe disa republikanë patën shprehur shqetësim lidhur me një autorizim të sajin për shkatërrimin e video-kasetave, që dokumentonin marrjen në pyetje të të dyshuarve.

"Përsëri nuk kam marrë përgjigje për asgjësimin e kasetave. Kur kam parasysh këto pikëpyetje, të cilat nuk mund të veçohen nga personi që e ka emëruar për postin, i cili mezi pret t’i kthejë përsëri këto tortura…kjo është shqetësuese,”- tha senatori republikan Jeff Flake.

Por 6 ligjvënës demokratë ju bashkuan senatorëve republikanë, duke e mbështetur kandidaturën e zonjës Haspel dhe ajo u konfirmua me 54 vota pro dhe 45 kundër.

Ndërsa vlerësoi të zgjedhurën e tij për postin e drejtoreshës së CIA-s, zoti Trump kritikoi njërin prej pararendësve të saj në këtë post, John Brennan, i cili ishte drejtor i CIA-s gjatë mandatit të dytë të Presidentit Barack Obama dhe që ka qenë një kritik i ashpër i Presidentit Trump.

Përmes një tweet-i, ai u bëri thirrje ligjvënësve republikanë të mos i krijojnë mundësi sipas tij “veprimeve që i vetë shërbejnë zotit Trump.” Zoti Brennan i referohej kështu kërkesës së zotit Trump, që Departamenti i Drejtësisë të hetonte në se FBI-ja kishte survejuar në mënyrë të papërshtatshme fushatën presidenciale të zotit Trump.

Donald Trump u përgjigj me disa tweet-e të zemëruara, duke e akuzuar zotin Brennan se kishte nxitur hetimin lidhur me mundësinë e kontakteve të ekipit të fushatës së tij me Rusinë. Presidenti e ka cilësuar hetimin një “gjueti shtrigash” dhe kërkon që ai të marrë fund.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG