Koreja e Veriut përmbushi sot zotimin për të shkatërruar një ndër objektet që përdorej për prova bërthamore, duke kryer shpërthime në Punggye-ri, një rrjet tunelesh nën malin Mantap.
Objekti i provave bërthamore në pjesën e largët veri-lindore të vendit u shkatërrua nga shpërthimet që zgjatën disa orë dhe që u ndoqën në distancë nga gazetarë të huaj.
Koreja e Veriut e kishte bërë të ditur vendimin për ta shkatërruar objektin para se të bëheshin të njohura planet për takim mes udhëheqësit Kim Jong Un dhe Presidentit Trump. Masa është përshëndetur si një gjest i vullnetit të mirë nga Pheniani.
Por ekspertët thonë se kjo masë nuk është hapi i fundit dhe se nevojitet shumë më tepër për të përmbushur kushtet që i ka parashtruar administrata Trump Phenianit për çmilitarizim të plotë bërthamor.
Përveç gazetarëve të ftuar, Pheniani nuk kishte lejuar ekspertë të fushës bërthamore të ndiqnin shpërthimet e sotme. Njohës të fushës thonë se edhe pas akteve të ndërmarra sot, objekti nuk është plotësisht jashtë përdorimit, po ashtu Koreja e Veriut ka plot male të tjera ku mund të ndërtohen tunele për prova në të ardhmen.
Ndërkohë që kryeheshin shpërthimet, Pheniani përcolli një tjetër sulm verbal në adresë të Uashingtonit, duke e quajtur nënpresidentin Mike Pence një “politikan kukull” dhe duke shtuar se është gati për një ballafaqim bërthamor, po aq sa për një diskutim në tryezën e negociatave.
Facebook Forum