Lidhje

Vazhdojnë negociatat për një takim Trump-Kim: një gjeneral me katër yje vjen në SHBA


Shtëpia e Bardhë thotë se Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka në plan të takohet këtë javë me një gjeneral koreanoverior me katër yje, për bisedime që lidhen me një takim të planifikuar mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior

Kim Yong Chol, Nënkryetari i Komitetit Qendror dhe ish shef i Agjencisë koreanoveriroe të Zbulimit, u nis të martën nga Pekini drejt Nju Jorkut, për t’u takuar me zotin Pompeo.

Po të martën, Trump shkroi një tweet, ku thonte se vizita e zotit Kim është “një përgjigje e fortë për letrën time, faleminderit”.

“Kim Yong Chol është njeri i afërt me Kim Jong Unin. Ai jo vetëm që e këshillon udhëheqësin koreanoverior për strategjinë e tij, por ai gjithashtu komunikon kërkesat e tij. Ai vje në Nju Jork për të neciuar në emër të Kim Jong Un-it. Ky është një tjetër tregues për përkushtimin ndaj takimit”, - tha Jean Lee, drejtoreshë e programit për Korenë në Qendrën Wilson, në Uashnington.

Lee, e cila ka qenë shefe e zyrës së Agjencisë Associated Press për Phenianin, i tha Zërit të Amerikës se priten diskutime të vështira, “ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut përpiqen të bien në marrëveshje, në lidhje me rezultatin që do të arrijnë të dy udhëheqësit në takimin e planifikuar.”

Javën e kaluar, zoti Trump i dërgoi një letër Kim Jong Unit, ku thoshte se takimi i planifikiar për në 12 qershor, nuk do të mbahej, për shkak të “zemërimit të madh dhe armiqësisë së hapur”, që ishte shprehur në një deklaratë të udhëheqësit koreano-verior.

Por negociatat mes dy vendeve kanë vazhduar, mes së cilave bisedime të dielën në zonën e çmilitarizuar koreane.

"Kemi ngritur një ekip shumë të mirë për bisedimet me Korenë e Veriut. Aktualisht po flitet për takimin e nivelit të lartë dhe çështje të tjera”, tha zoti Trump të martën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Huckabee Sanders, tha se një delegacion amerikan po takohet me një delegacion koreanoverior në zonën e çmilitarizuar, nën drejtimin e Sung Kimit, që është ambasadori amerikan në Filipine dhe ish i dërguar në Korenë e Jugut. Të pranishëm në takim, po ashtu janë Allison Hooker, drejtoreshë për Korenë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Randy Schriver, Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë në rajonin e Azisë dhe Paqësorit.

“Ata kanë në plan të takohen përsëri gjatë javës në Panmunjom”, - tha zëdhënësja Huckabee Sanders.

Po ashtu, Zëvendës Shefi i Personelit i Shtëpisë së Bardhë, Joe Hagin dhe të tjerë nga administrata e zotit Trump shkuan të dielën në Singapor, vendi ku mendohet të mbahet takimi.

"Ata udhëtuan në Singapor për t’u marrë me përgatitjet logjistike”, - konfirmoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për Zërin e Amerikës të hënën.

Para takimit Trump-Kim, presidenti amerikan tha gjithashtu se ka në plan që të mbajë bisedime me kryeministrin japonez, Shinzo Abe.

"Ramë dakord të takoheshim para takimit të nivelit të lartë SHBA-Kore e Veriut”, tha zoti Abe në Tokio pas një telefonate të hënën me zotin Trump.

Presidenti Trump dhe Kryeministri Abe "konfirmuan gjithashtu domosdoshmërinë e realizimit të çmontimit të plotë dhe të përhershëm të armëve bërthamore, kimike dhe biologjike të Koresë së Veriut dhe programeve të raketave balistike”, - sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Nuk është e qartë se kur ose ku do të takohen Presidenti Trump dhe Kryeministri Abe para takimit të Singaporit.

Edhe presidenti i Koresë së Jugut, Moon Joa-in mund të shkojë në Singapor muajin e ardhshëm për një takim trepalësh me homologët e tij të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, tha një zyrtar i qeverisë në Seul të hënën.

Pas një takimi të papritur të shtunën mes Kimit dhe Moon Jae-init, presidenti koreano-jugor tha se udhëheqësi koreano-verior vazhdon të jetë i angazhuar për një gadishur korean pa armë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për çmontimin “e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm” të arsenalit bërthamor të Phenianit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG