Lidhje

Shpresat e koreanojugorëve për takimin Trump-Kim


Koreja e Jugut është optimiste se Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të arrijnë një marrëveshje për t'i dhënë fund programit kërcënues të Pheniani për prodhimin e armëve bërthamore, kur të dy udhëheqësit do të takohen të martën në Singapor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton nga Seuli.

Shumë banorë të Seulit shpresojnë se takimi për çështjen bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut do të përmirësojë perspektivën për një paqe të qëndrueshme në rajon, edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare për çarmatimin bërthamor.

"Ne duam paqe. Uroj që takimi të shkojë mirë, në mënyrë që të vendoset paqja në Gadishullin Korean", thotë Cho Ik-Sung, banor i Seulit.

Para takimit të Singaporit mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka patur protesta në Seul nga grupe që i kanë bërë thirrje të dy udhëheqësve, që t'i japin fund ngërçit bërthamor mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, me një traktat paqeje.

Protesta kanë zhvilluar gjithashtu grupet e konservatorëve, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të mos bëjnë kompromis me qeverinë shtypëse të Kim Jong Un-it që, e cila në të kaluarën nuk i ka mbajtur premtimet për çarmatim bërthamor.

Por sondazhet e opinionit publik tregojnë për mbështetje të fuqishme për përpjekjet diplomatike të Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, për ta bindur udhëheqësin e Koresë së Veriut që të bjerë dakord për bisedimet mbi ç’armatimin bërthamor. Popullariteti i Kim Jong Un-it në Korenë e Jugut u rrit ndjeshëm, pas takimit ndër-korean në prill, ku ai u pa nga shumë njerëz si një person jo kërcënues dhe i hapur për kompromis.

"Kam patur një përshtypje negative për udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, por pasi e pashë atë në televizion në takimin e fundit, përshtypja ime për të u përmirësua shumë", thotë Choi Yun-Mi, banore e Seulit.

Edhe mbështetja për Presidentin Trump u përmirësua në Korenë e Jugut, përpara takimit të nivelit të lartë në Singapor.

Shumë banorë të Seulit ende shqetësohen se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut nuk do të jenë në gjendje të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, pasi Uashingtoni kërkon një çarmatim të plotë përpara çdo lehtësimi të sanksioneve, ndërsa Pheniani dëshiron që kompromisi të bëhet përmes një procesi me faza.

Pas tërheqjes së përkohshme nga takimi më parë, Presidenti Trump ka thënë se është i përgatitur të largohet nga bisedimet, nëse Kim nuk zotohet t'i japë fund programit të tij bërthamor.

"Unë jam i shqetësuar se Shtetet e Bashkuara mund ta anulojnë përsëri takikmin me Korenë e Veriut", thotë Shim Nu-ri, banor i Seulit.

Por, në përgjithësi banorët e Seulit presin që takimi i Singaporit të prodhojë një rezultat pozitiv, që do të ulë mundësinë për konflikt ushtarak dhe do ta çojë përpara procesin e paqes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG