Lidhje

Kadija: Shkarkimi ishte përgatitur kohë më parë


Drejtoresha e shkarkuar e Radiotelevizionit të Malit të Zi, Andrijana Kadija, i tha të hënën Zërit të Amerikës, se shkarkimi i saj ishte përgatitur shumë më herët. Këshilli i Radiotelevizionit të Malit të Zi shkarkoi të enjten nga detyra zonjën Kadija, duke cituar parregullsi që lidhen me pavarësinë e transmetuesit publik. Në një bisedë më korrespondentin e Zërit të Amerikës në Podgoricë, Nebojsha Rexhiç, zonja Kadija tha se shkarkimi synon ta shndërrojë radiotelevizionin në shërbim politik.

“Mendoj që ky shkarkim është përgatitur shumë kohë më parë. Që nga tetori kur filloi ndërrimi i anëtarëve të Këshillit të këtij radiotelevizioni, në korridore thuhej se nuk po u pelqen politika e këtij shërbimi publik. Në fakt shërbimi publik nuk bënte kurrfarë politike, por merrej vetëm me gazetari profesionale. Kushdo qe ka ndjekur rrëfimet për shërbimin publik muajve të fundit, e dinte se kjo do të përfundonte kështu. Mëkati im është se jam jopolitike dhe nuk kam lejuar që shërbimi publik të shndërrohet qoftë në shërbim privat apo partiak".

Ajo shfaqi shqetësimin se për pak ditë do të ndryshojë edhe politika editoriale e këtij shërbimi.

Shkarkimi i saj nxiti protesta në Mal të Zi dhe reagimin e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe Departamentin amerikan të shtetit, i cili tha se ky veprim rrezikon lirinë e mediave në Mal të Zi.

Vendi i vogël që vitin e kaluar u bë anëtar i NATO-s dhe synon integrimin në Bashkimin Europian, është kritikuar së fundmi për qasjen ndaj medies dhe është radhitur shumë ulët në raportet ndërkombëtare mbi lirinë e medies në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG