Lidhje

Rivlerësimi, rikonfirmohet Kreu i Kushtetueses


Në Shqipëri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u rikonfirmua sot në detyrën si anëtar I kësaj Gjykate nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përmes një vendimi që në të vërtetë ndau treshen e trupit gjykues. Dy prej tyre vendosën në favor, ndërsa anëtari i tretë, Xhensila Pine, votoi kundër. Në fakt gjyqtarja Pine ishte dhe relatorja e çështjes, e cila në seancat dëgjimore kishte ngritur disa pikëpyetje mbi mundësinë e justifikimit të pasurisë nga ana e zotit Dedja. Lidhur me një hua prej 15 mijë eurosh që kreu i Gjykatës Kushtetuese kishte deklaruar se i kishte marrë nga i vëllai, relatorja e çështjes ishte shprehur me dyshim pasi në atë kohë vetë i vëllai i Dedjes, sipas saj, kishte marrë një kredi prej 45 mijë eurosh.

Por siç shpjegoi sot avokati i Kryetarit të Gjykatës, ky fakt kishte rezultuar i pavërtetë. “Është detyrë e gjithë stafit dhe personelit verifikues që ti shkojë deri në fund, nuk duhet të mjaftohet vetëm me faktin që del një person me këtë emër e këtë mbiemër”, u shpreh avokati Haxhia, duke mos kursyer tonet kritike ndaj Komisionit. “KPK duhet të jetë shumë e kujdesshme, ata që janë pjesë e saj duhet të jenë të kualifikuar dhe të kenë dy gjëra: solemnitetin dhe seriozitetin. Të dhënave duhet patjetër t’ju shkohet deri në fund. U cenua në publik figura e personit më korrekt të sistemit të drejtësisë”, deklaroi zoti Haxhia.

Gjyqtari Bashkim Dedja, është anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetuese që konfirmohet në detyrë, ndërkohë që tre të tjerë janë rrëzuar gjatë procesit të rivlerësimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG