Lidhje

Rivlerësimi,rrëzohet Prokurori i Apelit


Në Shqipëri Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, institucioni që merret me rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, vendosi sot shkarkimin e Prokurorit të Apelit Gentian Trenova.

Shkak për vendimin e marrë u bënë sërish problemet me pasurinë por dhe vendimet e Prokurorit Trenova për pushimin e hetimeve në të paktën dy raste, ku ishte përfshirë një prokuror i dyshuar për korrupsion dhe një person i dyshuar për trafik droge.

Vendimi i sotëm nuk ishte ndonjë surprizë, pasi Komisioni, që në seancën e mëparshme, ngriti dyshime serioze për pasurinë e Prokurorit, ndërsa komente të ashpra bëri edhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Teo Jakobs, i cili ndoqi nga afër procesin.

Avokati i Prokurorit Trenova vuri në pikëpyetje standartet mbi bazën e të cilave sipas tij, po vepron Komisioni.

Prokurori Trenova është dhe në listën e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një tjetër institucion që rrezikon të mbetet i bllokuar, për shkak se dhe një tjetër anëtar është rrëzuar gjatë procesit të rivlerësimit, ndërsa prokurorja Rovena Gashi është pezulluar nga detyra.

Deri më tani janë të paktën 6 gjyqtarë e prokurorë të cilët nuk kanë mundur të kalojnë procesin e rivlerësimit. Pothuajse për të gjithë shkak është bërë pamundësia për të justifikuar pasuritë e deklaruara prej tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG