Lidhje

Shqipëri, hapja e bisedimeve, debate për qëndrimin e Gjermanisë


Në Shqipëri opozita dhe shumica u përfshinë sot në replika lidhur me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian, e veçanërisht për pozicionin e Gjermanisë ndaj vendit. Prillin e kaluar Komisioni europian rekomandoi hapjen e bisedimeve, ndërsa vendimi duhet të merret nga vendet anëtare, të cilat do të duhet të shprehen javën e ardhshme gjatë mbledhjes së Këshillit europian. Një vendim pozitiv duhet të merret në unanimitet. Gjermania ka një peshë specifike në gjirin e BE-së, e për këtë dhe pozicioni i saj merr një rëndësi të veçantë. Sikundër dhe Franca e cila duket ende hezituese.

Por sipas kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha “mbrëmë, vetëm 24 orë pas samitit Franko-Gjerman dhe takimit Merkel-Makron, kristiandemokratët dhe kristiansocialët gjermanë, aleatët, partia jonë simotër, anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe socialdemokratët gjermanë, aleatët dhe partia simotër e Partisë Socialiste dhe anëtarë të Partisë Socialiste Europiane, kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i përket hapjes apo jo të negociatave për Shqipërinë. Lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin”, u shpreh zoti Basha sipas të cilit për Gjermaninë “Edi Rama nuk i ka bërë detyrat. Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Në këtë rezolutë e cila do të bëhet zyrtare, javën e ardhshme të martën, për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen thjesht dhe vetëm kushte por edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë deri më sot nga Edi Rama apo nga hallka institucionale të blera e të korruptuara nga ai. Kjo është një ngjarje dramatike për Shqipërinë”, theksoi zoti Basha, sipas të cilit përgjegjësia për këtë është vetëm e kryeministrit dhe “bashkëqeverisja e tij me krimin”.

Deklaratat e tij zoti Basha i bëri ndërsa seanca u ndërpre disa herë, për shkak se ai nuk pranoi të largohej nga foltorja e parlamentit, deri kur me procedurë të përshpejtuar u kaluan për votim projektligjet e rendit të ditës dhe seanca u mbyll.

Komenteve të kryetarit demokrat, iu përgjigj kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, sipas të cilit “e vërteta e madhe është se Gjermania po e ndjek me vëmendje këtë proces. Gjermania ka të njëjtin pozicion sikurse ka mbajtur edhe me Malin e Zi. Dua ta ndaj me të gjithë shqiptarët se qeveria e koalicionit të madh CDU/CSU e SPD, ashtu sikurse edhe Bundestagu gjerman, ku përveç partive në koalicion, ka edhe parti të tjera që janë në opozitë, mbështesin tërësisht hapjen e negociatave. Të jeni të sigurt se qeveria gjermane është promotorja e një mbështetjeje të madhe të Shqipërisë në Samitin e 28 qershorit”, u shpreh zoti Balla.

Një tjeër kundërpërgigje ndaj zotit Basha mbërriti dhe nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Rodos të Greqisë, ku po merr pjesë në Konferencën e Tretë për Siguri dhe Stabilitet. “Falenderojmë me mirënjohje kancelaren dhe qeverinë gjermane për konfirmimin e mbështetjes ndaj Shqipërisë. Qartësia pro-zgjerimit, maturia dhe qëndrimi i ndershëm i partnerit tonë janë të mirëpritur e orientues përgjatë këtij rrugëtimi sfidues që bazohet te logjika e kushtëzimit demokratik dhe e ndjekjes së vazhdueshme të progresit në reforma. Aktrimi grotesk i opozitës sot në Kuvend është një perpjekje e pafat, por e përsëritur për të bërë të zezën të bardhë!”, shkruajti zoti Bushati në Facebook.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG