Lidhje

BE, Shqipëria dhe vendimi për bisedimet e pranimit


Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit europian u shprehën në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim më Shqipërinë por duke e shtyrë vendimin për qershorin e ardhshëm, në pritje të përparimeve të mëtejshme të vendit veçanërisht, lidhur me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndonëse ky nuk ishte vendimi më i mirë i mundshëm, duket se autoritetet në Tiranë morën frymë disi të lehtësuar, nëse merret parasysh klima që i parapriu. Nga njëra anë tensioni brenda vetë BE-së, me krizën e migracionit, dhe në anën tjetër trysnia anti-zgjerim nën të cilën ndodhen disa prej vendeve anëtare. Dhe në fakt qershori i ardhshëm, përkon me periudhën pas zgjedhjeve për parlamentin europian.

Vetë vendimi ishte fryt i një kompromisi që kërkoi orë të tëra për të sjellë në një emërues të përbashkët shumicën e vendeve që ishin haptazi në mbështetje të hapjes së bisedimeve, atyre si Gjermania, që ishin për një proces të kushtëzuar, apo Francës, Hollandës dhe Danimarkës që fillimisht mbështetën idenë e një shtyrje pa afat të përcaktuar. Për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati vendi “tanimë ka hyrë në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE”, ndërsa opozita i mëshon idesë se bisedimet nuk do të nisin as në 2019.

VENDIMI

Duke vlerësuar përparimin e bërë nga Shqipëria “në veçanti për pesë prioritetet kyçe, Këshilli pajtohet që t'i përgjigjet pozitivisht progresit të mësipërm të bërë nga Shqipëria dhe përcakton rrugën drejt nisjen së bisedimeve në qershor të vitit 2019”, thuhet në vendimin e marrë nga vendet anëtare.

“Në mënyrë të veçantë, Këshilli thekson nevojën kritike të Shqipërisë për të konsoliduar më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore në veçanti përmes rivlerësimit dhe për të dhënë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke ruajtur dhe duke thelluar momentin aktual të reformës”, përcaktohet në pjesën për Shqipërinë, duke saktësuar se “Kjo përfshin: - avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke përmbyllur të gjitha dosjet prioritare dhe finalizuar ngritjen e strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese; - finalizimin e ngritjes së organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH) dhe Gjykatës; - forcimin e rezultateve konkrete në hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe ato të niveleve të larta”.

Ecuria në këto drejtime sipas Këshillit do të duhet të monitorohet nga afër nga Komisioni europian, dhe ai do të japë vlerësimin e tij në bazë të raporti vjetor të Komisionit. “Këshilli rikujton se vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë do të jetë subjekt i përfundimit të procedurave parlamentare kombëtare dhe miratimit nga Këshilli Evropian dhe do të pasohet menjëherë pas kësaj nga Konferenca e parë ndërqeveritare brenda fundit të vitit 2019, në varësi të progresit të bërë”.

REAGIMET

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, u shfaq në një konferencë shtypi pak pak publikimit të vendimit të Këshillit duke u shprehur se “sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, për fqinjin tonë Maqedoninë dhe natyrisht për të gjithë Evropën e bashkuar dhe të ardhmen e projektit evropian”, dhe se “tanimë Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE”. Sipas zoti Bushati, vendimi është një njohje e refromave të ndërmarra nga vendi “që natyrisht do të duhet të thellohen dhe më tej në ditët dhe muajt në vijim. Ne do të ulemi me Komisionin Evropian pa humbur kohë në procesin përgatitor në mënyrë që qershori i vitit të ardhshëm ta gjejë Shqipërinë në një pozicion sa më solid përsa i përket plotësimit të të gjitha detyrimeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Zoti Bushati nuk la pa përmendur opozitën apo sic u shpreh ai, dhe “lloj-lloj spekulantësh politik e mediatik që kishin vendosur 28 qershorin si ditën e bastit të larjes së hesapeve me qeverinë dhe me Edi Ramën, a thua se procesi i integrimit evropian ka lidhje thjesht dhe vetëm me fatin e një qeverie dhe fatin e një kryeministri. Në fakt ky është një proces që ka lidhje me fatin e të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Kryeministri Edi Rama u mjaftua me një postim në Facebook ku shkruante se “pas 72orësh mes dallgëve të brendshme të BE-së, Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua, lufta vijon”, mbyll postimin e tij zoti Rama

Po përmes Facebook-ut reagoi dhe kryetari demokrat Lulzim Basha sipas të cilit BE-ja do të mbajë qëndrim refuzues edhe në 2019. “Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot. Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane”, shkruan drejtuesi i opozitës

DEBATET BRENDA BE

Vendimi i sotëm erdhi pas debateve të gjata mes vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme i cili u mblodh në Luksemburg. Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha se “ka dy grupime. Njëri që përfaqëson shumicën, me 25 vende që mbështesin hapjen e bisedimeve deri në verën e 2019, dhe tre vende të tjera, Franca, Danimarka dhe Hollanda që mendojnë se duhet të shtyjmë të gjithë procesin. Por të shtysh këtë proces europian do të thotë që të shtysh stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, u shpreh ai.

Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorë. Nga një anë janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Nga ana tjetër, ideja e presidentit Emmanuel Macron e shpallur si objektiv nga ana e tij, është ajo e reformimit të vetë BE-së, përpara zgjerimit të saj. Por ministri i Jashtëm grek u shpreh se “unë e di që ka vende që i druhen populizmit, por nuk mundet ta luftosh dhe të fitosh ndaj populizmit, duke bërë hapa pas”, tha ai duke shtuar se “mund të ecim paralelisht si me zgjerimin ashtu dhe me reformimin e BE-së”.

Përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm hollandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij. “Dy vendet kanë bërë progres por jo mjaftueshëm, duhen rezultate konkrete për korrupsionin.E rëndësishme është që të dy vendet kanë treguar këmbëngulje në luftën kundër korrupsionit por duhet të shohim më shumë. Ne mbështesim progresin që kanë bërë por nuk mund të injorojmë faktin që duhet të shohim rezultate konkrete”, u shpreh ai.

Nga ana e saj Gjermania është në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe i bën thirrje Francës dhe Hollandës që të bashkohen me pjesën tjetër të vendeve anëtare që ndajnë të njejtin qëndrim. "Demokracia dhe paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol të rëndësishëm për të gjithë ne në BE, kjo është arsyeja që vlerësojmë shumë përpjekjet e të dy shteteve për të forcuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit”, tha zoti Roth, duke shtuar se “Qeveria gjermane është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, jemi gati të japim dritën jeshile dhe dua të inkurajoj miqtë tanë holandeze dhe francezë të na bashkohen".

Thirrje drejtuar vendeve anëtare në favor të hapjes së bisedimeve, drejtuan sot dhe 11 eurodeputetë, relatorë dhe drejtues të delegacioneve të parlamentit europian për marrëdhëniet me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. “Nxisim udhëheqësit europianë të dëshmojnë angazhimin e tyre të qartë ndaj perspektivës europiane të të gjithë rajonit të Ballkanit, duke miratuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin”, shkruhet në letrën drejtuar Presidentit të Këshillir europian Donald Tusk. Duke vënë në dukej faktin se “të dy vendet kanë plotësuar kushtet e kërkuara, siç nënvizon Komisioni europian dhe Parlamenti europian”, eurodeputetët theksojnë se “BE duhet të mbetet një partner i besueshëm. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur me BE-në dhe Bashimi europian nuk duhet t’i zhgënjejë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG