Lidhje

Tremujori I 2018, ekonomia rritet me 4.45 përqind


Ekonomia shqiptare shënoi një rritje domethënëse prej 4.45 përqind në tremujorin e parë të 2018, sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti i Statistikave. Por më shumë se faktorëve të qëndrueshëm, kjo rritje duket se i detyrohet kushteve të motit që favorizuan prodhimin e energjisë elektrike. Kontributi i grupit Industri, Energji dhe Ujë ishte në fakt 2.42 pikë përqindje, ndërkohë që vetëm sektori i Energjisë elektrike ka kontribuar me 1.9 pikë përqindje. Ky grup ka qenë dhe sektori me rritjen më të madhe me 19.90 përqind, ku Industria përpunuese u rrit 9,55 përqind, ndërsa Energjia elektrike 66,44 përqind.

Kontributi i sektorëve të tjerë të ekonomisë ka qenë dukshëm më i ulët. Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor kontribuan me +0,54 pikë përqindje; Bujqësia, Pyjet e Peshkimi me +0,37 pikë përqindje; Aktivitetet profesionale dhe Shërbimet administrative me +0,30 pikë përqindje; Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,28 pikë përqindje ndërsa Ndërtimi me +0,17 pikë përqindje. Nga ana tjetër, Aktiviteti i Informacionit dhe Komunikacionit si dhe Aktivitete Financiare dhe te Sigurimit, kontribuan negativisht me respektivisht, -0,09 pikë përqindje dhe -0,04 pikë përqindje.

Në vitin 2017 ekonomia shqiptare u rrit, sipas vlerësimeve paraprake të Instat, me 3,84 përqind. Për 2018, autoritetet parashikojnë një rritje te 4,1 përqind. Ndërkohë institucionet financiare ndërkombëtare, parashikojnë rënie të ritmeve të rritjes. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare do të rritet në nivelet e 3,7 përqind, ndërsa Banka Botërore 3,6 përqind, dhe se afatshkurtër, ekonomia do të ndjejë efektet e rënies së investimeve të huaja direkte, për shkak të përfundimit të punimve të dy projekteve të mëdha siç është gazsjellësi Trans Adratic Pipeline (TAP) dhe hidrocentralet mbi lumin Devoll.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG