Lidhje

Britani: Vazhdojnë hetimet mbi rastin e ri të helmimit me Noviçok


Ministri i Brendshëm britanik Sajid Javid tha se substanca nervore që ka prekur një çift në Angli është i të njëjtit lloj, që u përdor gjatë sulmit të kryer në muajin mars të këtij viti ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergey Skripal dhe vajzës së tij Julia. Komentet e zyrtarit të lartë britanik, u bënë pas një takimi të Komitetit britanik të Emergjencës që diskutoi rreth sulmit më të fundit me agjent nervor në Amesbury. Hetuesit kundër terrorizmit po përpiqen të përcaktojnë se si çifti ra në kontakt me agjentin nervor.

Çifti është indetifikuar si Dawn Sturgess 44-vjeç dhe Charlie Rowley 45 vjeç u gjetën të shtunën pa ndjenja në Amesbury, 13 kilometra nga Salisbury qyteti ku në muajin mars u gjetën të helmuar Sergei dhe Julia Skripal.

Provat e ofruara nga ekspertët konfirmuan se bëhet fjalë për të njëjtin agjent nervor të njohur si Noviçok, i njëjti agjent nervor me të cilin u helmua Julia dhe Sergey Skripal”, tha Sajid Javid ministri i Brendshëm britanik.

Zyrtarët britanikë që po hetojnë rastin e dytë të helmimit, thonë se dyshojnë se viktimat nuk ishin direkt nën shenjestër, por se janë sëmurë si pasojë e sulmit të mëparshëm ndaj ish-agjentit Sergey Skripal dhe vajzës së tij.

Gjatë një vizite në Gjermani kryeministrja britanike Theresa May shfrytëzoi rastin të flasë lidhur me ngjarjen duke e cilësuar atë si thellësisht shqetësuese.

Të shohësh dy persona të tjerë të ekspozuar ndaj Novichok-ut në Britaninë e Madhe është shumë shqetësuese dhe policia nuk do të lërë asnjë gur pa palëvizur në hetimet lidhur me atë që ka ndodhur".

Helmimi i papritur i çiftit, pa asnjë lidhje të njohur me Rusinë, ka ngritur shqetësime publike në zonën e Salisbury-t. Por sipas zyrtarëve britanikë rreziku për publikun është i ulët.

Me lejoni të garantoj se siguria publike për ne është e një rëndësie të madhe. Bazuar në numrin e rasteve të prekura, nuk ka rrezik për publikun e gjerë”, tha Sajid Javid ministri i Brendshëm britanik.

Britania ka fajësuar Rusinë për helmimin e ish-agjentit Sergey Skripal dhe vajzës së tij me Noviçok, një substancë nervore e prodhuar nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Rusia ka mohuar çdo përfshirje dhe ka deklaruar se është vetë Britania që duhet të fajësohet për sulmin, në një përpjekje për të ushqyer ndjenjat anti-ruse. Kremlini tha sot se i kishte ofruar ndihmë Britanisë për hetimin e rastit të Skripalëve, por Britania kishte rrefuzuar. Incidenti i muajit mars nxiti dëbimin më të madh të diplomatëve rusë që nga Lufta e Ftohtë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Britanisë iu bashkuan qëndrimit Londrës duke fajësuar Moskën lidhur me ngjarjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG