Lidhje

PD: Meta të mos dekretojë ligjin për Teatrin


Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përsëriti sot thirrjen drejtuar Presidentit Ilir Meta që të mos firmosë ligjin e miratuar mbrëmë nga parlamenti me votat e socialistëve për projektin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë.

“Akti i djeshëm është një ligj që ligjëron vjedhjen. I vetmi qëllim është grabitja e tokës në mes të Tiranës për të ndërtuar 6 kulla masive betoni. Nuk ka pra asnjë lidhej me artin e kulturën. Nuk bëhet për Teatrin. Ne i bëjmë thirrje Presidentit të mos dekretojë ligjërimin e vjedhjes”, u shpreh zoti Basha.

Sipas kreut të PD-ës, “qëllimi kryesor i projektit është pastrimi dhe qarkullimi i parave të pista të drogës, krimit dhe korrupsionit”, u shpreh ai ndërsa shtoi se “ligji që ka miratuar dje parlamenti është antikushtetues dhe shkatërrim i shtetit ligjor”. Kreu demokrat paralajmëroi “përballje në sheshe dhe në rrugë” kundër qevrisë, dhe tha se opozita do të mbështesë “pa asnjë hezitim çdo akt të paralajmëruar nga artistët në ambientet e Teatrit e kudo”.

Projektligji u miratua mbrëmë mes tensioneve në sallën e parlamentit, ndërsa jashtë saj, grupe artistësh ishin grumbulluar që paraditen e së enjtes për të kundërshtuar planin e qeverisë.

Sipas projektligjit, Bashkia e Tiranës do të hyjë në bisedime me kompaninë “Fusha” e cila do të ndërtojë me shenzimet e saj një godinë të re të Teatrit në këmbim të lejes për të ngritur në zonën përreth, mbi një sipërfaqe publike një kompleks ndërtesash shumëkatëshe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG