Lidhje

Emigracioni, udhëheqësit fetarë me pikëpamje shumë të ndryshme


Ligjvënësit amerikanë kanë pikëpamje shumë të kundërta për sa i përket çështjes së emigracionit. Madje, prokurori i përgjithshëm citoi Biblën si një arsye për politika më të ashpra për emigracionin. Megjithëse udhëheqësit e besimit të krishterë i gjejnë në Bibël përgjigjet e tyre, pikëpamjet e tyre për emigracionin janë gjithashtu të shumëllojshme.

Në Qytetin e Engjëjve, mënyrat se si të krishterët adhurojnë Perëndinë janë po aq të shumëllojshme sa edhe origjina nga ata vijnë dhe pikëpamjet e tyre për emigracionin.

“Kam të afërm pa dokumente, prandaj është shumë personale për mua”, thotë Lovy Longomba, i Kishës së Zbulesës.

Lovy Longomba u lind në Kenia, nga prindër kongolezë. Ai është pastor në një kishë protestante të përbërë nga emigrantë nga mbarë bota.

“Mendoj se duhet të gjejmë mënyrën për të ndihmuar njerëzit në nevojë, duke ndihmuar njëkohësisht edhe njerëzit e këtij vendi. Nuk mendoj se është gjëja e duhur të përpiqesh të shpëtosh botën, ndërsa po përmbytet vetë shtëpia jote”, thotë zoti Longomba.

Zoti Longomba thotë se Shteteve të Bashkuara u duhet një mënyrë më e mirë kontrolli të njerëzve që duan të hyjnë në vend.

“Prandaj Bibla flet për mprehtësinë – aftësinë e të diturit. Kush është personi? Çfarë aspiron?... Pasi mund edhe të tregosh dhembshuri në mënyrë naive...”, thotë zoti Longomba.

Në lagjen bizantine dhe latine të Los Anxhelosit, emigrantët nga Amerika Latine dhe Greqia, adhurojnë në kishat ngjitur me njëra-tjetrën.

“Unë jam një emigrant i ligjshëm nga Greqia, së bashku me familjen time. Pritëm tre vjet dhe dikush e mbështeti kërkesën tonë prej këtej. Ishte shumë kohë më parë dhe procesi i vështirë”, tregon John Bakas, prift grek i Komunitetit Orthodoks të “Shën Sofisë”.

Prifti Bakas bën dallimin mes emigrantëve të ligjshëm dhe të paligjshëm.

“Dëgjon që njerëzit thonë se jemi kundër emigrantëve. Jo, jo, jo! Shumë anëtarë të komunitetit tonë janë emigrantë. Çështja është se duhet të jenë emigrantë të ligjshëm”, thotë ai.

At Bakas thotë se pa ligje do bëhej anarki.

“A nënkupton dashuria dhe përkushtimi i krishterë se duhet të heqësh dorë nga rregulli dhe kontrolli? Krishti tha të duash fqinjin, por ai nuk kishte në mendje dikë që vjen nga 3 mijë milje larg. Ai fliste në kontekstin e njësisë fisnore”, thotë At Bakas.

Por, Francisco Garcia, prift episkopal dhe bir emigrantësh pa dokumenta nga Meksika, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë mundësinë dhe duhet të ndihmojnë këdo që ka nevojë.

“Mund të jemi kombi që vërtet thotë ‘mirësevjen’ dhe që bëjmë gjithçka mundemi për të mirëpritur dhe për të ndihmuar, pasi mendoj se ky është humanizmi ynë. Duhet të bashkëpunojmë mes kombeve me frymën dhe etikën e të kuptuarit përse njerëzit emigrojnë”, thotë At Garcia.

At Garcias nuk i pëlqejnë termat emigracion i ligjshëm dhe i paligjshëm.

“Nuk më pëlqen të bëj këto lloje dallimesh, pasi në realitet është shumë e vështirë. Njerëzit thonë se ‘duhet të mbash radhën; duhet të bësh këtë gjë dhe nëse ndjek rregullat, atëherë përfiton atë gjë’. Kjo funksionon për një përqindje të vogël njerëzish. Në realitet, për shumicën nuk funksionon”, thotë At Garcia.

Lovy Longomba thotë se përgjigja ndaj çështjes së emigracionit gjendet nëse e kundron nga një tjetër këndvështrim.

“Ta mendosh nga perspektiva e tjetrit është përgjigja më e mirë për shumë gjëra që po kalojmë, pasi kështu përfton një ndjesi të vërtetë durimi. Krijohet një ndjesi e vërtetë mirëkuptimi”, thotë zoti Longomba.

Sigurisht, që duhet patur parasysh se pikëpamjet e njerëzve për emigracionin bazohet kryesisht nga eksperiencat që ata kanë kaluar vetë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG