Lidhje

SHBA, rusja e akuzuar, në pritje të masës së arrestit


Një shtetase ruse, mbështetëse e së drejtës për mbajtjen e armëve dhe e lidhur ngushtë me Shoqatën Kombëtare të Armëve si përfaqësuese e Rusisë, është akuzuar të hënën se po komplotonte për të infiltruar në organizatat politike amerikane si pjesë e operacioneve të influencës së Moskës në Shtetet e Bashkuara.

29 vjeçarja Maria Butina, e cila e përshkruan veten në Twitter si themeluese dhe anëtare bordi e grupit “E drejta për të mbajtur armë”, punonte si ndihmëse speciale e një zyrtari të lartë të qeverisë ruse. Ajo u arrestua të dielën në kryeqytetin amerikan nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimit.

Butina doli para gjykatës federale të hënën për t’u përballur me akuzat se kishte komplotuar për të vepruar si përfaqësuese e qeverisë ruse në Shtetet e Bashkuara pa njoftuar prokurorinë e përgjithshme amerikane. Gjykatësi dha urdhër për mbajtjen e saj në qeli, në pritje të një seance të mërkurën për lirim me kusht.

Një shkresë e FBI-së e përshkruan Butina-n si “agjente të fshehtë ruse” e cila vizitoi Shtetet e Bashkuara disa herë para se të vinte me vizë studenti në gushtin e vitit 2016 për të jetuar në Uashington.

Deklarata e FBI-së nuk tregon emrin e zyrtarit rus për të cilin ajo kishte punuar, por nga përshkrimet del se bëhet fjalë për Alexander Torshin, zëvendës guvernator i bankës qendrore të Rusisë dhe ish senator në partinë “Rusia e Bashkuar” e presidentit rus Vladimir Putin.

Avokati i të arrestuares, Robert Driscoll, lëshoi një deklaratë ku mohohet se ajo ishte “agjente e Federatës Ruse”, duke e përshkruar atë si një shtetase ruse në Amerikë me vizë studenti.

Sanksione ndaj zyrtarëve rusë

Në muajin prill, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Torshinit dhe 16 zyrtarëve të tjerë të qeverisë ruse si reagim ndaj “një sërë aktivitetesh keqdashëse në mbarë globin”.

Torshin akuzohet se ka udhëzuar Maria Butina-n për të “vepruar si agjente e Rusisë brenda Shteteve të Bashkuara” me qëllim influencimin e politikave amerikane. Në bazë të shkresës së FBI-së, dyshja “ndërmori hapa për të ndërtuar marrëdhënie me politikanë amerikanë për të krijuar kanale private komunikimi.

“Këto kanale mund të përdoren nga Federata Ruse për të depërtuar në aparatin kombëtar amerikan të vëndimmarrjes për të çuar përpara agjendën e Federatës Ruse”, thuhet në shkresën e Byrosë Federale të Hetimeve.

Përpjekja po ashtu përfshinte ndërtimin e marrëdhënieve me organizatat politike amerikane, përfshi NRA, grupi më i madh kombëtar për lobimin në favor të armëmbajtjes.

NRA nuk ka komentuar ende ndaj akuzave por më parë ka mohuar çdo shkelje që lidhet me kontaktin e Torshin-it me këtë organizatë.

Torshin, anëtar i përjetshëm në NRA, ka diskutuar hapur në Twitter mbi lidhjet e tij me organizatën, duke pretenduar se lidhjet i dhanë atij qasje ndaj kandidatit Donald Trump gjatë fushatës elektorale për president në vitin 2016. Akuzat u njoftuan nga Departamenti i Drejtësisë pak pasi Presidenti Trump dhe udhëheqësi rus Vladimir Putin u takuan në Helsinki.

Takimi Trump-Putin

Në një konferencë shtypi në kryeqytetin finlandez, Presidenti Trump tha se nuk besonte se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, duke rënë në kontradiktë me vlerësimet e agjencive amerikane të zbulimit.

Megjithëse ishte sanksionuar në mënyrë të heshtur nga Kremlini, operacioni i fshehtë për influencimin nga Torshin dhe Butina u krye veçmas nga përpjekjet e tjera më të gjera ruse për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve amerikane.

Duke vepruar nën supozimin se zoti Trump do të fitonte garën, ata kërkuan të përdorin NRA si një kanal lidhës me Partinë Republikane në përpjekje për të ndryshuar politikën e saj të jashtëme negative dhe agresive ndaj Rusisë, thuhet në deklaratë.

Yuval Weber, ekspert për Rusinë në kryeqytetin amerikan tha se objektivi i ruses Butina ishte të përdorte lidhjen ideologjike mes NRA dhe Rusisë për të ndikuar në politikat amerikane.

“Ajo që përpiqej të bënte, ishte t’i linte NRA-së të kuptonte se edhe në Rusi kishte njerëz që mendonin njëlloj si ata, që kishin ide të njëjta rreth të drejtave për armët”, tha zoti Weber.

Ideja ishte se nëse NRA mendonte se kishte njerëz si ata në Rusi, në thelb kjo do të siguronte një portë hyrëse për influencën ruse në Shtetet e Bashkuara, dhe në thelb do të siguronte një metodë për afrimin me Rusinë të NRA, kontaktet e saj politike dhe paratë.

Në komplotin e saj, Butina dyshohet se u ndihmua nga dy shtetas amerikanë të paidentifikuar. Amerikani i parë punoi me rusen Butina “për të organizuar sëbashku prezantime tek individët amerikanë që kanë ndikim në politikën amerikane”, përfshi lobin e armëve, thuhet në shkresën e FBI.

Në tetor të vitit 2016, shtetasi amerikan i dërgoi një email një të njohuri ku thuhej: “Pa lidhje tek fushatat specifike presidenciale, jam përfshirë në sigurimin e një linje shumë private komunikimi mes Kremlinit dhe udhëheqësve kryesorë republikanë, mes kanaleve të tjera, NRA”.

Shtetasi i dytë amerikan u përfshi në një numër komunikimesh me emrail në vitet 2016-2017, lidhur me përpjekjet e ruses Butina për të organizuar një numër darkash “miqësie dhe dialogu” në Uashington dhe Nju Jork për rusët dhe amerikanët me ndikim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG