Lidhje

Samiti i Helsinkit dhe çështja Browder


Nga të gjitha pyetjet e ngritura për Presidentin Donald Trump dhe Presidentin rus Vladimir Putin pas takimit të tyre në Helsinki, asnjë nuk përmendi financierin britanik të lindur në Shtetet e Bashkuara, Bill Browder.

Por presidenti Putin e veçoi atë gjithsesi duke sugjeruar se do t'i jepte Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller qasje tek 12 rusët e akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, nëse hetuesit rusë mund të merrnin në pyetje mashtruesit me taksat.

"Për shembull, bashkëpunëtorët e biznesit të zotit Browder kanë fituar mbi 1.5 miliardë dollarë në Rusi, dhe nuk kanë paguar asnjë taksë, as në Rusi, as në Shtetet e Bashkuara, por paratë e tyre kanë ikur nga vendi", tha zoti Putin, duke përsëritur akuzat që janë konsideruar prej kohësh si të pabazuara.

Browder, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë Hermitage Capital, ka qenë forca lëvizëse prapa Aktit Magnitsky, një ligj amerikan i vitit 2012 që autorizon sanksione kundër abuzuesve të të drejtave të njeriut në Rusi, që ngrin pasuritë e tyre dhe ndalon hyrjen e tyre në Shtetet e Bashkuara.

I titulluar pas avokatit të zotit Browder, Sergei Magnitsky, i cili vdiq mes akuzave për rrahje dhe neglizhim mjekësor në një burg rus pas punës së tij për të ekspozuar një skemë të mashtrimit të taksave nga zyrtarët rusë, ky ligj amerikan, që është miratuar më vonë edhe në shtatë vende të tjera, mund të jetë kërcënimi më i madh për pasuritë e mëdha personale të liderit rus.

Qeveria ruse, e cila ka mohuar akuzat për mashtrim dhe zyrtarisht ia atribuoi vdekjen e Magnitskyit një goditjeje në zemër, ka vazhduar ta ndjekë Browderin, së fundmi duke kërkuar që ai të ndalohej ndërsa ishte në Spanjë. (( www.voanews.com/a/putin-critic-browder-detained-released-by-spanish-police/4415846.html ))

Vetëm pas mbërritjes së tij në një stacion policor, autoritetet zbuluan se urdhri i Interpolit ndaj zotit Browder kishte skaduar.

Browder i tha Shërbimit rus të Zërit të Amerikës se fakti që udhëheqësi rus përsëri e përmendi atë me emër në një forum publik të profilit të lartë, provon se sanksionet perëndimore po ndihen në Moskë.

((http://old.themoscowtimes.com/sitemap/free/2006/7/article/putin-has-no-answers-in-browder-visa-case/203711.html ))

"Mendoj se Putin po e merr personalisht çështjen për shkak të gjithë suksesit që kam pasur në miratimin e aktit Magnitsky kudo në botë," tha Browder. "Ai nuk e fshehu faktin se shfuqizimi i Aktit Magnitsky është prioriteti i tij i vetëm më i madh i politikës së jashtme. Ai duket qartë se është shumë i tronditur dhe i mërzitur nga të gjithë njerëzit e ndryshëm që janë sanksionuar sipas këtij akti dhe programeve të tjera të sanksioneve, dhe kjo përbën thembrën e tij të Akilit ".

Browder i ka thënë Zërit të Amerikës në intervista të mëparshme se një nga arsyet kryesore përse Putini e urren Aktin Magnitsky, është se ai u kërkon njerëzve përreth tij të kryejnë krime shumë të rënda në emër të tij, siç janë sekuestrimi i pasurive dhe pronave private në mënyrë të paligjshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG