Lidhje

Rivlerësimi, shkarkohet Zeneli i Gjykatës së Lartë


Në Shqipëri, një tjetër anëtar i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, u shkarkua sot nga detyra, në kuadër të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Vendimi u komunikua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili një ditë më parë kishte hedhur dyshime mbi pasuritë e deklaruara të gjyqtarit, për shkak të mospërputhjeve mes atyre të dorëzuara periodikisht në Inspektoriatin e Verifikimit të pasurive dhe atyre dorëzuar vetë Komisionit. Po ashtu, zoti Zeneli, rezultoi të mos kishte deklaruar privatizimin e një trualli në Tiranë dhe shitjen e një sipërfaqeje tjetër në Velipojë. Ndaj tij, Komisioni ngriti dhe faktin se ai nuk kishte deklaruar që ambasada amerikane i kishte revokuar vizën, duke i ndaluar kështu hyrjen në territorin e SHBA-ve.

Zeneli bëhet anëtari i tretë i Gjykatës së Lartë që shkarkohet. Një ditë më parë, i njejti vendim u mor dhe për gjyqtarët Admir Thanza dhe Tom Ndreca. Aktualisht nga 19 anëtarë, kjo gjykatë mbetet të funksionojë vetëm 6 gjyqtarë, ndërkohë që vendet e lëna bosh që nga viti 2013, nga 10 anëtarë të tjerë të saj, për shkak të përfundimit të mandatit, nuk u plotësuan asnjëherë.

Po sot, dy trupa të tjera të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhanë një vendim pozitiv për gjyqtaren e Apelit të Krimeve të Rënda Nertina Kosova dhe prokuroren Antoneta Sevdari.

Ndërkaq, problemet me pasuritë rrezikojnë të penalizojnë dhe prokurorin e Tiranës, Arben Nela dhe gjykatësin e Apelit, Ervin Metalla, për të cilët sot u zhvillua seanca dëgjimore. Prokurori Nela është kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Komisioni, duke ju referuar të dhënave të Inspektoriatit të Lartë të Verifikimit të Pasurisë, tha se ai kishte bërë deklarim të pasaktë, fshehje pasurie dhe nuk ka burime të mjaftueshme financiare. Ndërsa vetë Nela akuzoi ILDKPKI-në, se sipas tij, ka shtrëmbëruar qëllimisht faktet.

Për gjyqtarin e Apelit, Komisioni ngriti pretendimin se ka përfituar një kredi të butë të aprovuar nga institucionet, ndërkohë që ai e kishte një banesë në Tiranë, dhe se nuk ka deklaruar një shumë prej 1.5 mln lekësh. Po ashtu, sipas Komisionit, i vëllai i Metallës, rezulton të ketë investuar mbi 100 mijë euro në bono thesari, në një kohë që ska burime financiare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG