Lidhje

Joga, koncerte dhe piknikë mbi Danub


Ura e Lirisë mbi lumin Danub në Budapest shndërrohet në një skenë të veçantë gjatë fundjavave pasi mbyllet për trafikun dhe përdoret si një hapësirë publike ku njerëzit nuk paguajnë asgjë për t’u argëtuar dhe për t’u relaksuar.

Ndërsa dielli ngrihet mbi Budapest, qindra njerëz shtrinë tapetet e tyre të jogës në urën mbi Danub, duke e shndërruar në një skenë të veçantë koncertesh, vallëzimesh dhe pikniku.

Gjatë katër fundjavave këtë verë, Ura e Lirisë e Budapestit e ndërtuar në shekullin e 19-të mbyllet për trafikun, duke u bërë një hapësirë e lirë urbane për hungarezët dhe turistët për të pirë verë, për t'u çlodhur në lisharës dhe për të shijuar flladin mbi lum.

"Është një ndjenjë e veçantë. Jemi në Urën e Lirisë dhe mund të ndiejmë lirinë, lirinë që vjen nga lumi, nga ura dhe nga qielli, madje edhe shiu pushoi. Është një mrekulli. Është një ndjesi shumë gjallëruese, ndjehesh pjesë e universit ".

Instruktorja e jogës Zita Demeter thotë se vendndodhja i ndihmon studentët e saj "të lidhin ritmin me rrjedhën e Danubit".

"Ka një rrjedhë dhe dinamikë shumë të veçantë këtu. Njerëzit mund të lidhin ritmin me rrjedhën e Danubit, me atmosferën e Budapestit".

Pasi vendasit filluan ta përdorin urën kur ajo u mbyll përkohësisht gjatë punimeve të përkohshme ndërtimore në verën e vitit 2016, një organizatë e shoqërisë civile e bindi komunën e Budapestit ta mbyllte atë për trafikun për disa ditë përsëri vitin e kaluar.

Mbyllja e urës u bë aq popullore për turistët dhe vendasit sa që ajo është bërë një ngjarje e zakonshme.

Benjamin Peter, koordinatori i projektit, shpjegon se ideja ishte të krijonte një hapësirë publike ku njerëzit nuk do të kishin për të paguar asgjë.

"Menduam të krijonim një hapësirë publike që do të ishte falas. Këtu në urë nuk lejohet të shesësh apo të reklamosh."

Pak hapa më larg, Peter Toth, kontabilist 29-vjeçar gatuan në zgarë salçiçe me miqtë e tij.

"Është për njerëzit. Ka shumë nga Hungaria por edhe turistë nga vende të ndryshme të botës që vijnë këtu për t’u argëtuar për të pirë dhe për t’u relaksuar. Pra është një vend me energji pozitive që sjell shumë njerëz së bashku në mes të qytetit."

Më vonë gjatë ditës, ura transformohet përsëri, pasi aty zhvillohet një koncert i muzikës swing, duke nxitur disa çifte të kërcejnë, ndërsa të tjerë ulen në kolona, për të pirë verë dhe për të biseduar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG