Lidhje

Zjarret në Greqi shkaktojnë dhjetëra viktima dhe dëme


Greqia po mban një periudhë zie, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kontrollojnë makinat dhe shtëpitë e djegura nga zjarret që kanë shkaktuar gati 80 viktima. Kryeministri Alexis Tsipras njoftoi të martën se do të ketë tre ditë zie kombëtare.

Zjarri më i rëndë u përhap në afërsi të portit të Rafinës, afër Athinës, duke bërë që shumë njerëz të zbrisnin drejt plazheve dhe ujit në kërkim të sigurisë. Anijet evakuuan më shumë se 700 vetë. Spitalet kanë trajtuar rreth 200 njerëz, kryesisht për djegie. Nuk ka një shifër zyrtare të njerëzve ende të zhdukur.

Ajo po quhet një katastrofë biblike. Zjarri në Greqi shpërtheu papritur. Njerëzit u detyruan të iknin me shpejtësi ... të rrethuar nga flakët.

Për shumë njerëz i vetmi shpëtim ishte deti. Disa qëndruan në ujë për orë të tëra duke shpresuar me dëshpërim të shpëtonin nga ferri i pamëshirshëm.

Dhjetëra vetë janë konfirmuar të vdekur. Viktima më e re, gjashtë muajshe. Shumë u zhdukën kur u bllokuan në trafik. Dita me diell zbuloi një varrezë makinash të djegura që shkakton emocione të forta tek kalimtarët. 65 vjeçari Theodoros Christopoulos përshkruan situatën:

"Ishte një panik i madh pasi e gjithë rruga ishte e bllokuar me makina. Dëgjoje të bërtitura, histeri. Ata e shihnin zjarrin që vinte nga era. Qielli ishte i zi."

Zyrtarët thonë se në një qytezë 26 trupa u gjetën të mbledhur së bashku, duke u përpjekur të mbronin njëri-tjetrin.

Pothuajse 50 zjarre kanë shpërthyer në 24 orët e fundit - të nxitura nga erëra me shpejtësi 104 kilometra në orë. Më shumë se 1,000 shtëpi janë shkatërruar.

Kërkimet vazhdojnë për më shumë se 100 persona të zhdukur. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë moderne greke dhe numri i të vdekurve mund të rritet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG