Lidhje

Rivlerësimi, nga Gjykata e Lartë ikën dhe Broci


Në tre seanca të njëpasnjëshme trupa të ndryshme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhanë vendimet për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Artan Broci dhe drejtuesin aktual të Prokurorisë së Tiranës Dritan Rreshka, ndërsa konfirmuan në detyrë anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë Medi Bici

Vendimi i parë u dha për gjykatësin Broci, për të cilin gjatë seancës dëgjimore u ngritën dyshime të shumta mbi pasuritë që ai dispononte, disa apartamente, apo dhe mjedise për zyrë si dhe investime në Bono Thesari. Pikëpyetja pati dhe për disa raste konflikti interesi, kur zoti Broci kishte gjykuar çështje civile të kompanive më të cilat ai kishte patur përpara ose pas proceseve gjyqësore, marrëdhënie të ndryshme biznesi apo kishte përfituar dhurime.

Pas vendimit që për momentin e lë jashtë sistemit gjyqësor, anëtari i Gjykatës së lartë reagoi me tone të ashpra duke akuzuar komisionerët se kishin zbatuar urdhëra politikë të kryeministrit duke deklaruar se kishte provuar se të ardhurat e tij ishin të ligjshme.

Një tjetër trupë e Komisionit konfirmoi më pas në detyrë anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë Medi Bici, i cili kaloi kështu pa problem testin si për pasurinë ashtu dhe për formimin profesional dhe integritetin moral.

Me vendimin e sotëm numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë reduktohet nga 19 në vetëm katër, përfshirë dhe kryetarin Xhezair Zaganjori. Praktikisht të tre kolegjet e kësaj Gjykate janë jashtë loje, dhe ajo mund të funksionojë vetëm për rastet e masave të sigurisë.

I treti në radhë, drejtuesi aktual i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka, nuk u rikonfirmua në detyrë, edhe ai për shkak të problemeve me pasurinë, për të cilat gjatë seancës dëgjimore pati debate të gjata me trupën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG