Lidhje

Media sociale përballë ligjvënësve amerikanë në shtator


social media logo

Drejtuesit e lartë të medias sociale si Facebook,Twitter dhe Google do të përballen muajin e ardhshëm me ligjvënësit në Kongres për të shpjeguar se çfarë po bëjnë gjigandët e mediave sociale për të luftuar veprimet e huaja mbi informacionin.

Njoftimi u dha të mërkurën nga kryetari i komisionit të Zbulimit në Senat, republikani Richard Burr dhe demokrati më i lartë senatori Mark Warner, në fillim të një seance dëgjimore lidhur me atë se si Rusia, vende apo aktorë të tjerë, kanë manipuluar mediat sociale.

Qëllimi i seancës së 5 shtatorit do të jetë: "të dëgjohen planet që këto kompani po zbatojnë, t'i shtyjmë ato të bëjnë më shumë dhe të punojnë së bashku për ta përballuar këtë sfidë", tha zoti Warner.

"Ata mund të bëjnë më shumë për të mbrojtur demokracinë tonë", shtoi ai. "Jam i shqetësuar që edhe pas 18 muajsh studimi, ne ende vetëm sa po e gërvishtim sipërfaqen kur bëhet fjala për luftën e Rusisë lidhur me informacionin".

Zoti Burr i quajti operacionet e huaja ndaj informacionit, siç janë ato që po kryhen nga Rusia, "një sulm të patolerueshëm mbi themelin demokratik mbi të cilin është ndërtuar kjo republikë".

"Është gjithashtu e rëndësishme që populli amerikan të dijë se këto aktivitete as nuk filluan dhe as përfunduan me zgjedhjet e vitit 2016", tha zoti Burr. Ai paralajmëroi se aktivitete si ato të identifikuara kohët e fundit nga Facebook-u kanë shkuar përtej mediave sociale, duke krijuar siç tha “ngjarje në rrugët tona me amerikanë të vërtetë që marrin pjesë pa qenë në dijeni të asaj që po ndodh".

Gjatë seancës së Senatit të mërkurën, një numër senatorësh paralajmëruan se çështja është shumë më e madhe se zgjedhjet e vitit 2016 apo 2018.

"Bëhet fjalë për integritetin e shoqërisë sonë," tha Senatori Burr. "Kjo ka të bëjë me sigurinë kombëtare".

"Do të ishte gabim të mendonim se kjo ka të bëjë vetëm me zgjedhjet" shtoi Senatori republikan John Cornyn, duke vënë në dukje se teknika të ngjashme mund të përdoren për të shkatërruar reputacionin ose çmimet e aksioneve.

Ekspertët thonë se disa prej tyre tashmë po ndodhin.

"Në frontin shtetëror kemi parë dëshmi të fushatave që synojnë energjinë dhe bujqësinë", thotë Renee DiResta, drejtore e Kërkimeve në organizatën New Knowledge.

"Në bujqësi, ka marrë formën e përhapjes së frikës nga OMGJ-të (organizmave të modifikuara gjenetikisht)," tha ajo.

"Ekziston një dimension tregtar që nuk është raportuar. Në hapësirën tregtare ka shumë më tepër zhvillime", tha themeluesi i kompanisë Graphika John Kelly.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG