Lidhje

Drejtësi, shtyhet ngritja e institucioneve të reja


Në Shqipëri, institucionet e reja të parashikuara nga reforma në Drejtësi, Këshilli i emërimeve në Drejtësi, Këshilli I Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk do të mund të ngrihen, në përfundim të përmbylljes së fazës së parë të procesit të rivlerësimit. Rrëzimi i një numri të madh kandidatësh gjatë procesit e bën të pamundur mbledhjen e tyre me numrin e plotë të anëtarëve. Procesi do të duhet të rihapet për kandidatët nga gjykatat e Apelit dhe Prokuroritë e Apelit si për Këshillin Gjyqësor ashtu dhe për atë të Prokurorisë, duke bërë që në rastin më të mirë vendet të mund të plotësohen në fund të vitit:

Drejtësi, shtyhet ngritja e institucioneve të reja
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Ndonëse kanë mbetur për t’iu nënshtruar rivlerësimit vetëm 6 nga 57 emrat e listës së parë, është mëse e qartë se konstituimi i institucioneve të reja të drejtësisë do të duhet të shtyhet me së paku disa muaj. Ndërsa nga 12 anëtarët e Këshillit të emërimeve, përfshi dhe zëvendësuesit, vetëm 3 mundën të konfirmoheshin në detyrë, për KLGJ dhe KLP problem mbeten mosplotësimi i kandidaturave nga Gjykatat dhe Prokuroritë e Apelit.

Sipas ligjit, 6 anëtarët që vijnë nga radhët e gjyqësorit për Këshillin e Lartë gjyqësor përzgjidhen, 3 nga gjyqtarët e shkallës së parë, ku së paku njëri duhet të jetë i një gjykate jashtë Tiranës, 2 të tjerë nga Gjykatat e Apelit, ku njëri sërish duhet të jetë nga një gjykatë jashtë Tiranës dhe anëtari i 6 nga Gjykata e Lartë.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar:

Manjola Xhaxho - Gjykata e Tiranës

Marçela Shehu – Gjykata e Kurbinit

Alma Brati – Gjykata e Tiranës

Astrit Faqolli - Gjykata e Tiranës

Dritan Hallunaj – Gjykata për Krimet e Rënda

Brunilda Kadi - Gjykata e Tiranës

Nga këta Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit bën që të plotësohen kriteret, dhe ajo automatikisht siguron vend në KLGJ e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët, do t’i nënshtrohen votimit për dy vendet e tjera.

Sa i përket dy vendeve me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar dy kandidatë:

Ilir Toska – Gjykata Apelit Tiranë

Nertina Kosova – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda

Por që të dy vijnë nga Tirana. I vetmi që kishte konkurruar nga rrethet ishte Besim Trezhnjeva i Apelit të Durrësit i cili u rrëzua. Për këtë arsye Gjykata e lartë ka hapur thirrjen për gjyqtarët e Gjykatave të Apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për t’u zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ

Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë nuk do të duhet të ketë votim, pasi i vetmi i rikonfirmuar është anëtari i saj Medi Bici. Kandidati tjetër, për në KLGJ Artan Zeneli u rrëzua.

E njëjta situatë është dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Për tre vendet nga prokuroritë e Shkallës së parë janë kualifikuar 5 prokurorë, ndërsa tre të tjerë janë ende në pritje.

Dritan Prençi - Prokuroria Kukës

Vat Staka -Prokuroria Shkodër

Antoneta Sevdari - Prokuroria Tiranë

Gentian Osmani - Prokurori e Krimeve të Rënda

Besnik Muci – Prokuroria e Krimeve të Rënda

Nga këta Dritan Prençi, është i vetmi nga jashtë Tiranës e pritet të kalojë automatikisht. Të tjerët do t’i nënshtrohen votimit për dy poste

Problematike situata për dy anëtarët që do të duhet të përfaqësojnë Prokuroritë e Apelit. Deri më tani nuk ka asnjë të konfirmuar. Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u rrëzuan. Kandidati tjetër, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës ju nënshtrua sot seancës dëgjimore. Edhe nëse ai do të konfirmohet sërish mbetet një vend i paplotësuar. Ndërsa për kandidatët nga Prokuroria e Përgjithshme, për 1 post në KLP, janë dy prokurorë që kanë kaluar testin, Anila Leka dhe Kostaq Beluri. Pritet ndërkohë dhe rezultati për Ramadan Trocin.

Pamundësia për të ngritur KLGJ-ën do të shtyjë në kohë zgjidhjen e ngërcit në Gjykatën e Lartë. Ndërsa mungesa e KLP-ës do të zvarrisë më tej ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit dhe Prokurorisë antikorrupsion. Nisja e një procesi të ri për kandidatët e tjerë që do të hyjnë në garë për të plotësuar anëtarët e të dy institucioneve kërkon të paktën tre muaj vetëm për rivlerësimin, pa llogaritur procedurat e tjera.

Pa zgjidhje dhe situata në Gjykatën Kushtetuese, duke qenë se dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka të konfirmuar vetëm 3 nga 9 anëtarët

Nga lista me 57 emrat e parë, 21 janë rrëzuar deri më tani, ndërsa për 5 të tjerë procesi u ndërpre për shkak të dorëheqjes së tyre. Janë 26 të konfirmuar dhe 7 të tjerë për të cilët ende nuk është dhënë vendimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG