Lidhje

Pompeo përfundoi turneun e tij në Azinë Juglindore


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përfundoi turneun e tij të Azisë Juglindore.

Para se të nisej të dielën, ai u takua me presidentin indonezian Joko Widodo, të cilit i tha se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë lidhjet me Indonezinë, një nga demokracitë më të mëdha në botë.

Të shtunën, diplomati i lartë amerikan u takua me homologun e tij indonezian Retno Marsudi. Sekretari dhe ministri i jashtëm diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe angazhimin rajonale të sigurisë, duke përfshirë Korenë e Veriut dhe kundërterrorizmin, si dhe çështje të tjera të politikës së jashtme me interes të përbashkët.

Pompeo mbërriti në Xhakarta të shtunën nga Singapori ku pati mesazhe kontradiktore mbi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut për bisedimet mbi de-nuklearizimin. Në avion për në Xhakarta, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert u tha gazetarëve se sekretari Pompeo dhe Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Hu, iu afruan njëri-tjetrit gjatë seancës për "foton familjare" dhe shtrënguan duart.

Pompeo tha, "ne duhet të flasim përsëri së shpejti", ndërsa Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Ri Yong Hu u përgjigj: "Dakort. Ka shumë biseda produktive që duhen bërë".

Pas kësaj, Ambasadori amerikan në Filipine Sung Kim i dorëzoi zotit Ri një letër nga Presidenti Donald Trump për udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Përmbajtja e letrës nuk u bë e ditur.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se takimi i shkurtër midis Pompeo dhe homologut të tij të Koresë së Veriut nuk ishte për t'u habitur. "Kjo duhet të pritet. Pjesa më e madhe e këtij veprimi ishte pozitive dhe ky është një përmirësim nga e kaluara. Ne po ndërtojmë një marrëdhënie me Korenë e Veriut pas disa vitesh të marrëdhënieve të vështira. "

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG