Lidhje

Pompeo: Sanksionet ndaj Iranit do të zbatohen me rreptësi


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se sanksionet e ripërtëritura amerikane ndaj Iranit do të zbatohen me rreptësi dhe do të vazhdojnë derisa qeveria iraniane të ndryshojë rrënjësisht.

Duke folur për gazetarët gjatë kthimit nga një turne në Azinë Juglindore, zoti Pompeo tha se rivendosja e disa sanksioneve është një shtyllë e rëndësishme në politikën e SHBA-së ndaj Iranit. Ai tha se administrata Trump është e hapur për ta hedhur vështrimin përtej sanksioneve, por kjo do të kërkonte një ndryshim të madh nga Teherani.

“Ne shpresojmë se mund të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara, por kjo do të kërkojë ndryshime të mëdha nga ana e regjimit iranian'', tha zoti Pompeo të dielën. “Ata duhet të sillen si një vend normal. Kjo është çështja. Është shumë e thjeshtë,'' tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Ministrat e jashtëm evropianë thanë të hënën se ''ndjejnë keqardhje të thellë” për rivendosjen e sanksioneve amerikane.

Në një deklaratë të bërë nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar thuhet se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 për Iranin "po funksionon dhe po jep rezultate” për kufizimin e programit bërthamor të Iranit.

Ministrat thanë se marrëveshja për Iranin është "vendimtare për sigurinë e Evropës, rajonit dhe të gjithë botës".

Zoti Pompeo i quajti udhëheqësit iranianë "aktorë të këqinj" dhe tha se Presidenti Donald Trump synon t'i bëjë ata 'të sillen si një vend normal'.

Një grup i parë i sanksioneve amerikane që u lehtësua nga administrata Obama në bazë të marrëveshjes së rëndësishme bërthamore të 2015-s, hyri në fuqi sot, pas vendimit të Presidentit Trump në muajin maj për t'u tërhequr nga marrëveshja. Këto sanksione kanë në shënjestër sektorin e automobilëve, si dhe arin dhe metale të tjera.

Një seri e dytë e sanksioneve që synojnë sektorin e naftës dhe bankën qendrore të Iranit do të rivendosen në fillim të nëntorit.

Sekretari Pompeo vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara prej kohësh e kanë cilësuar Iranin si nxitësin kryesor shtetëror të terrorizmit në botë dhe kanë thënë se Teherani nuk mund të shpresojë të trajtohet si i barabartë në bashkësinë ndërkombëtare nëse nuk ndërpret aktivitete të tilla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG