Lidhje

Një paqe e brishtë, 10 vjet pas konfliktit Rusi-Gjeorgji 


Këtë javë mbushen dhjetë vjet që kur filloi lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë për kontroll në Osetinë e Jugut, një rajon i vogël, separatist në Gjeorgji që Moska më pas e njohu si territor të pavarur. Megjithëse konflikti zgjati vetëm pesë ditë, lufta la qindra civilë të vrarë dhe mbi 20 mijë vetë pa strehë. Siç njofton Charles Maynes nga Moska, jehona e konfliktit ndjehet ende sot:

Në ish-Bashkimin Sovjetik, zyrtarët vazhdimisht i mbulonin dallimet mes rusëve e gjeorgjianëve, bazuar në politikën sovjetike të Stalinit për të shuar ndarjet etnike.

Por këto dallime u ndezën në gusht 2008, kur shpërthyen luftimet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, të cilat fajësonin njëra-tjetrën si shkaktare të konfliktit. Një ndër faktorët që e ushqeu konfliktin ishin tensionet gjeopolitike, ndërkohë që Presidenti gjeorgjian Mikhail Sakashvili ndiqte politika pro-perëndimore me synimin për antarësim në NATO, duke acaruar tensionet dhe shqetësimet e Kremlinit, i cili u hodh në veprim:

Alexey Malashenko, universiteti “Northeastern” Skype

“Ishte një përpjekje për t’u treguar të gjithëve se Rusia ishte në gjendje të bënte shumë gjëra: të ndërhynte ushtarakisht, të organizonte operacione agresioni në një territor ish-sovjetik. Ishte një reagim i papritur,” thotë Alexey Malashenko i Universitetit “Northeastern”.

Rusia e sprapsi ushtrinë gjeorgjiane brenda pesë ditësh, por u ndesh me revoltim të komunitetit ndërkombëtar, kur njohu pavarësinë e Abkazisë dhe Osetisë Jugore, dy rajone separatiste gjeorgjiane.

Megjithë fitoren, Moska shqetësohej për mangësitë në fushën e betejës:

Pavel Felgenhauer, Analist për Mbrojtjen

“Lufta në Gjeorgji nxiti një program masiv dhe të kushtueshëm për ri-armatimin e rusëve, pasi megjithëse e fituan luftën, nuk u pa si një përmbushje cilësore e misionit. Nuk u arritën objektivat politike dhe strategjike,” thotë Pavel Felgenhauer, analist për Mbrojtjen.

Këto mësime u shërbyen rusëve në Ukrainë, një tjetër republikë ish-sovjetike që po avanconte drejt integrimit perëndimor.

Kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014 dhe plasi konflikti në Ukrainën lindore, në fushëbetejë u pa një ushtri ruse shumë më e fuqishme.

Pavel Felgenhauer, Analist për Mbrojtjen

“Këtë radhë Rusia kishte një ushtri të pajisur shumë më mirë, shumë më të përgatitur dhe me prapavijë më të mirë,” thotë analisti Felgenhauer.

Me kalimin e viteve, marrëdhëniet mes rusëve dhe gjeorgjianëve janë përmirësuar. Janë intensifikuar shkëmbimet tregtare dhe turistike. Dhe kultura gjeorgjiane është e pranishme kudo, edhe në Moskë.

Por ambicjet gjeorgjiane për antarësim në NATO mund t’i rindezin gjakrat.

Po ashtu, statusi i rajoneve separatiste të Gjeorgjisë dhe trupat ruse të dislokuara atje mbeten mollë sherri.

Kakhaber Gogotishvili, prift i kishës gjeorgjiane në Moskë

“Askush në Gjeorgji nuk do luftë. Njerëzit duan paqe, por kjo s’do të thotë se gjeorgjianët do të pranojnë paqe dhe marrëdhënie të mira me Rusinë, duke hequr dorë nga pjesë të territorit të tyre,” thotë një prift i kishës gjeorgjiane në Moskë.

Dhjetë vjet pas shpërthimit të konfliktit, që njihet si “lufta e vogël e Rusisë me Gjeorgjinë,” mbizotëron një paqe e brishtë. Dhe siç shprehen disa në Moskë, do të duhen më shumë se lutje për ta ruajtur këtë paqe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG