Lidhje

Ministria e Drejtësisë: Masa të ashpra ndaj gjyqtares Çela


Në Shqipëri ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme kundërshtuan me forcë vendimin e gjyqtares së Vlorës Herila Çela për të lënë në arrest shtëpie një person të arrestuar dy herë radhazi brenda pak muajsh. “Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtëisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares”, deklaroi zëvendës ministri i Drejtësisë Toni Gogu, pasi rasti u bë publik në media.

Bëhet fjalë për 28 vjeçarin nga Vlora Taluant Manaj, i arrestuar fillimisht në shkurt të këtij viti, për “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai u la në arrest shtëpie nga Gjykata e Apelit të Vlorës. Në qershor ai përfundoi sërish në pranga pasi kishte thyer arrestin e shtëpisë, ndërkohë që u gjet sërish me armë pa leje. Por dy ditë më parë, gjykatësja Çela, vendosi që ndaj tij të hiqej masa e arrestit me burg, duke e ndryshuar në arrest shtëpie.

Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, nga ana e tij foli për një “vendim, në kufijtë e absurdit” i cili sipas tij “ ka vënë në pikëpyetje gjithë luftën dhe sakrificën e bërë deri më tani”. Sipas ministrisë së Brendshme janë më shumë se 18 raste, kur Gjykata në rrethe të ndryshme kanë dhënë vendime të buta ndaj të arrestuarve me armë pa leje, për tentativë grabitje më armë, apo duke thyer masën e sigurisë dhe duke qarkulluar me armë në qytet.

Zëvendës ministri i Drejtësisë Gogu, paralajmëroi se “mbase gjyqtarë që kanë dhënë e vijojnë të japin vendime të tilla si ky i fundit, mendojnë se do t’ia hedhin thjesht duke ikur nga sistemi, por jo! Pas Vetingut është rradha e ndëshkimeve për të gjithë, sepse Vetingu nuk është thjesht pastrimi i llumit nga Pallati i Drejtësisë, po mjeti për të garantuar një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi. Për të gjithë e pa dallim”, theksoi zoti Gogu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG