Lidhje

Pesë vende bien dakort për statusin e Detit Kaspik


Udhëheqësit e pesë vendeve që rrethojnë Detin Kaspik ranë dakort për përcaktimin e statusit të një prej deteve më të mëdha dhe më të pasura të botës. Konventa për statusin ligjor të Detit Kaspik u nënshkrua të dielën në një samit në Kazakistan. Vendet nënshkruan gjithashtu edhe marrëveshje të ndryshme për bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik. Samiti zhvillohet në një moment kur ekonomitë e Rusisë dhe Iranit po pësojnë rënie për shkak të sanksioneve amerikane.

Deti Kaspik shtrihet në Evropë dhe Azi dhe rrethohet nga pesë vende: Azerbajxhani, Irani, Kazakistani, Rusia dhe Turkmenistani. Deti përmban sasi të mëdha rezervash nafte dhe gazi natyror në shtratin e tij dhe në bregdetin përreth. Pjesa më e madhe e rezervave në tabanin e detit nuk janë shfrytëzuar për shkak të mosmarrëveshjeve për caktimin e kufijve detarë që pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Të dielën, pesë vendet nënshkruan një marrëveshje, të cilën Presidenti rus Vladimir Putin e quajti një zhvillim epokal.

Sot ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për të gjitha vendet tona: u nënshkrua konventa për statusin e Detit Kaspik. Është një marrëveshje ndërkombëtare me rregulla dhe detyrime të detajuara dhe gjithëpërfshirëse për përdorimin dhe konservimin e trashëgimisë sonë të përbashkët – Detin Kaspik”, deklaroi Presidenti Putin.

Presidenti i Irani, Hasan Rouhani, radhiti disa nga këto rregulla.

Deti Kaspik i përket vendeve kaspike. Ndalohet ndërtimi i bazave ushtarake për vende të tjera, lundrimi i anijeve luftarake, aeroplanmbajtësve, nëndetëseve, fluturimi i avionëve luftarakë dhe madje edhe tranporti për vende të tjera”, njoftoi Presidenti Rouhani.

Çështja e ndarjes së shtratit të pasur me naftë mes pesë vendeve mbetet ende për t’u negociuar. Për momentin, palët synojnë bashkëpunimin paqësor.

Konventa është si një kushtetutë e Detit Kaspik. Është krijuar për të zgjidhur të gjitha problemet e të drejtave dhe detyrimeve të vendeve bregdetare dhe do të garantojë sigurinë, stabilitetin dhe begatinë e të gjithë rajonit”, tha Presidenti Nazarbayev.

Ndërkohë, udhëheqësit e vendeve kaspike arritën marrëveshje të ndryshme tregtie dhe transporti në të mirë të ekonomive të tyre. Presidenti rus dhe ai iranian u takuan veçmas për të diskutuar çështje dypalëshe, përfshi rolin e tyre në Siri dhe të ardhmen e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara.

“Irani, Rusia dhe vende të tjera do të vazhdojnë bashkëpunimin në kuadrin e marrëveshjes bërthamore”, deklaroi zoti Rouhani.

Si Irani, ashtu edhe Rusia, po përgatiten për efektet e sanksioneve të reja amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG