Lidhje

Strategjia e Presidentit Trump për Afganstanin sjell pak përparim


Sot mbushet një vit që kur Presidenti amerikan Donald Trump shpalosi strategjinë e tij të re për Afganistanin. Që atëherë, vendi ka përjetuar disa nga aktet më të rënda të dhunës pas ndërhyrjes amerikane rreth 17 vjet më parë. Megjithë shtimin e sulmeve të dhunshme, ka shenja inkurajuese që tregojnë se ka një lëvizje në procesin e paqes. Korrespondenti i Zërit të Amerikës për Bill Gallo sjellë hollësitë.

Para një viti Presidenti Donald Trump njoftoi ndryshime "dramatike" siç i quajti ai në strategjinë e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, por një vit më vonë duket se gjendja nuk ka ndryshuar shumë.

Talibanët ende organizojnë sulme në shkallë të gjerë në qytetet e mëdha, madje duke vënë nën kontroll pjesë të tyre, siç bënë këtë muaj në qytetin strategjik të Ghaznit.

Kryengritësit zbrapsen shpejt, shpesh me ndihmën e sulmeve ajrore.

Por rezultati përfundimtar i këtyre luftimeve është i njohur: shkatërrimi, viktimat dhe ndërtesat e djegura.

Zyrtarët amerikanë kanë minimizuar dhunën dhe insistojnë se po bëjnë përparim.

"Armiku kishte gjashtë objektiva në Ghazni, dhe ata nuk arritën të merrnin nën kontroll asnjë zonë. Në parim përpjekja e tyre ishte një operacion informacioni për të tërhequr vëmendjen e shtypit dhe në këtë fushatë ata kanë qenë të suksesshëm", thotë Sekretari i Mbrotjes Jim Mattis.

Por statistikat e ushtrisë amerikane nuk janë inkurajuese.

Në maj të vitit 2017, talebanët kontrollonin 16 për qind të territorit afgan, ndërsa tani 19 për qind.

Zyrtarët amerikanë thonë se prova më e mirë nuk është kontrolli i territorit, por kontrolli i mendjeve dhe zemrave të një popullate. Por edhe kjo, mund të ketë lëvizur në drejtimin e gabuar.

Një vit më parë, kryengritësit kontrollonin 9 për qind të popullsisë së Afganistanit, ndërsa sot deri në 12 për qind. Ndërkaq, gati një e katërta e popullsisë jeton në territoret e kontestuara.

Kjo po ndodh, pavarësisht fushatës së pashembullt të bombardimeve.

Me ritmet e tanishme gjatë këtij viti, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pritet të hedhë më shumë bomba sesa çdo vit tjetër të luftës 17 vjeçare në Afganistan.

Dhuna, ndoshta po hedh hije mbi disa nga përparimet drejt paqes. Shtetet e Bashkuara dhe talibanët mbajtën kohët e fundit ato që mendohet të jenë bisedimet e para të drejtpërdrejta në shtatë vjet.

"Ne kemi parë disa lëvizje të mëdha kohët e fundit në drejtim të marrëveshjeve të mundshme të armëpushimit dhe negociatave të paqes, por është e vështirë të thuhet se ky është rezultat i strategjisë për Azinë Jugore, të miratuar nga Shtëpia e Bardhë. Mendoj se një pjesë e saj është hendeku midis pritshmërive dhe realitetit. Kur flasim për dëshirën e një strategjie të suksesshme, ne nënkuptojmë fitimin e luftës brenda një viti", thotë ekspertja e Korporatës Rand, Rebecca Zimmerman.

Pyetja kryesore është se çfarë do të ndodhë nëse Presidenti e humb durimin?

Biznesmeni miliarder Erik Prince ka nisur një fushatë mediatike për të bindur Presidentin Trump për privatizimin e luftës, duke krijuar këtë video të quajtur "Një zgjidhje më e mirë për Afganistanin".

Zyrtarët amerikanë refuzuan të konfirmojnë një njoftim të kanalit NBC që thotë se zoti Trump mund të jetë i hapur ndaj planit, por thanë se ai është "gjithmonë i hapur ndaj ideve të reja".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG