Lidhje

Misioni i OKB-së rekomandon akuza për genocid ndaj gjeneralëve të Myanmarit


Një mision faktmbledhës i OKB-së ka rekomanduar që ushtaraku më i lartë i Myanmarit dhe disa prej vartësve të tij të hetohen dhe t’u ngrihen akuza për gjenocid. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer, ata mendohet se kanë luajtur rol në mizoritë e kryera ndaj minoritetit mysliman Rohingya.

Mbi 700 mijë myslimanë Rohingya u larguan nga veriu i Myanmarit gjatë javëve që pasuan një operacion brutal ushtarak. Ata mbërritën të traumatizuar dhe të uritur në Bangladeshin fqinj, ku treguan për mizoritë që kaluan.

“Përmasat e brutalitetit dhe natyra sistematike e përdhunimeve dhe dhunës tregojnë se janë pjesë e një strategjie të qëllimshme për të intimiduar, frikësuar dhe ndëshkuar popullsinë civile. Ata u përdorën si një taktikë lufte, ku përfshihet përdhunimi, përdhunimi në grup, skllavëria seksuale, lakuriqësia me forcë dhe gjymtimi”, deklaroi Radhika Coomaraswamy, anëtare e Misionit Faktmbledhës të OKB-së.

Misioni i OKB-së thotë se reagimi i ushtrisë së Myanmarit ndaj sulmeve të Rohingyave ku u vranë rreth një dyzinë oficerë të sigurisë, ishte “i menjëhershëm, brutal dhe jashtëzakonisht disproporcional” dhe duket se ishte planifikuar paraprakisht. Misioni thotë se ky përbën edhe një ndër krimet më të rënda të luftës.

“Janë kryer kryesisht nga ushtria. Misioni konkludoi se duhet hetim penal dhe ngritje akuzash, në veçanti ndaj ushtarakëve më të lartë, për tre kategori krimesh të përcaktuara në ligjin ndërkombëtar: gjenocidi, krime ndaj njerëzimit dhe krime lufte”, tha Christopher Sidoti, anëtar i Misioni Faktmbledhës të OKB-së.

Misioni faktmbledhës përmend emrat e gjashtë gjeneralëve, përfshirë shefin e shtabit, gjeneral Min Aung Hlaing. Autoritetet e Myanmarit mohojnë se janë bërë këto krime. Ambasadori i Myanmarit në OKB foli me Zërin e Amerikës përpara se të publikohej raporti i misionit faktmbledhës.

“E kemi thënë më parë që ky nuk është spastrim etnik, nuk është gjenocid... Duhen prova konkrete dhe ligjore për këtë lloj akuzash. Këto janë çështje shumë të ndjeshme. E mohojmë kategorikisht që të emërtohen kështu veprimet e forcave të sigurisë”, tha ambasadori Hau Do Suan.

Misioni faktmbledhës i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta dërgojë çështjen tek Gjykata Ndërkombëtare Penale, si dhe bën thirrje për sanksione ndërkombëtare ndaj autorëve dhe për një embargo armësh ndaj Myanmarit.

Misioni kritikon ashpër Kombet e Bashkuara që nuk morën në konsideratë shqetësimet për të drejtat e njeriut, si dhe që nuk parandaluan një “katastrofë që po gatitej prej dekadash”.

Kritikohet edhe Aung San Suu Kyi se nuk ndërhyri për të zbutur apo parandaluar krizën nga pozita e saj si udhëheqëse de facto e qeverisë dhe me autoritetin moral të një aktivisteje të demokracisë dhe fituese të çmimit Nobel.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG