Lidhje

Brazili përballet me krizën në rritje të refugjatëve nga Venezuela


Brazil Venezuela Warao Refugees
Brazil Venezuela Warao Refugees

Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se çdo ditë mijëra venezuelianë braktisin vendin e tyre. Mbi 2 milionë janë larguar dy vitet e fundit, për shkak të trazirave ekonomike dhe politike në Venezuela. Ata shkojnë në vende fqinjë si Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori në kërkim të një jete më të mirë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza ishte në Brazil për të folur me disa prej tyre.

Kampet e refugjatëve po mbushin Brazilin. Mijëra venezuelianë po kërkojnë ndihmë për shkak të mungesës së barnave, ushqimeve dhe shërbimeve të tjera, shkaktuar nga kriza ekonomike në vendin e tyre.

Me katër nga gjashtë fëmijët e saj, Natalie Silva, një nënë venezuelianë, po kërkon strehim në Pacaraima, një komunë në veri-perëndim të shtetit Roraima në Brazil.

"Më kanë dhënë ndihmë me shërbime sociale, personeli ushtarak ka qenë shumë i sjellshëm me mua, më kanë dhënë pelena, ushqim, veshje dhe ujë për fëmijët. Tani po pres që të na caktojnë një banesë. Nesër shkojmë në spital sepse kemi malarjen”, thotë ajo.

Sipas autoriteteve lokale, mesatarisht 600 venezuelianë mbërrijnë çdo ditë në kufi. Ushtria braziliane menaxhon qendrën e regjistrimit dhe merr masat e sigurisë.

"150 anëtarë të ushtrisë janë pjesë e operacionit së bashku me personelin civil. Operacioni i Pacaraimas ka 250 vetë”, thotë koloneli Hilel Zanatta.

Operacioni ka tre faza: kontrolli i kufirit, strehimi në Boa Vista dhe integrimi. Përfaqësuesi i agjencisë së OKB-së për refugjatët në Brazil, thotë se është rritur numri i venezuelianë që kërkojnë ndihmë.

"127 mijë venezuelianë kanë hyrë në Brazil që nga viti 2017, rreth 58 mijë vazhdojnë të jenë këtu. Rreth 33 mijë kanë kërkuar zyrtarisht azil nga policia federale. 12 mijë të tjerë kanë kërkuar viza për qëndrim të përkohshëm”, thotë Luis Fernando.

Megjithatë ka pasur edhe shprehje pakënaqësie nga vendasit. Ata shohin një lidhje direkte mes rritjes së numrit të venezuelianëve dhe problemeve të sigurisë.

"Ka mungesë sigurie. Shumë njerëz vijnë për të shkarkuar probleme, bëjnë gjëra të çuditshme”.

Brazili është një nga vendet e Amerikës së Jugut që ka zbatuar një përgjigje humanitare ndaj krizës venezueliane. Por për shkak të barrës ekonomike, presidenti brazilian, Michel Temer po konsideron mundësinë e kufizimeve.

Organizata e Shteteve Amerikane në një takim të posaçëm, analizoi krizën e imigracionit, të shkaktuar nga ikjet nga Venezuela. María Claudia Pulido, ndihmës sekretare ekzekutive e Komisionit Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut tha se kriza shtrihet në disa vende dhe kërkon një përgjigje rajonale, duke respektuar të drejtat e njeriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG