Lidhje

Shqipëri, merr jetë “Air Albania”


Në Shqipëri, u prezantua sot pasdite kompania ajore shqiptare e flamurit “Air Albania”. Kompania u ngrit falë bashkëpunimit me “Turkish Airlines”, e cila ka ofruar avionët e saj, pilotët si dhe do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit. Projekti për krijimin e “Air Albania”, u bë publik majin e vitit të shkuar, pasi mori mbështetjen e presidentit Turk Recep Tayyip Erdogan dhe të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Kompania shqiptare do të nisë fluturimet e para të testimit në linjën Tiranë-Stamboll, me avionë Airbus A319, për të vijuar pas një muaji me Romën, Milanon, Bolonjën dhe Londrën. Brenda vitit të ardhshëm pritet që të realizohen dhe fluturime direkte me New York-un. Kryeministri Edi Rama, premtoi në ceremoninë e prezantimit, se kompania shqiptare do të ofrojë një shërbim dinjitoz dhe çmime konkurruese.

Avioni që u ul sot pasdite në pistën e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, përveç simboleve kombëtare shqiptare, mban dhe emrin e poetit të njohur Lasgush Poradeci. Avioni i dytë, do të ketë emrin e poetit tjetër shqiptar Migjeni, ndërsa siç njoftoi kryeministri Rama, ai që pritet të kryejë fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara do të mbajë emrin e Fan Nolit.

“Air Albania” ka tre ortakë. Kompania “Turkish Airlines” zotëron 49 përqind të aksioneve, 10 përqind i ka “Albcontrol”, Agjencia kombëtare e Trafikut Ajror, ndërsa 41 përqind i përkasin shoqërisë “MDN Investiment”, me kapital shqiptar. MDN Investiment u themelua në maj të këtij viti, nga sipërmarrësi shqiptar Sinan Idrizi. Më pas kuotat e aksioneve u ndanë dhe me dy familjarë të tij si dhe me një shtetas amerikano-izraelit Ron Yeffet. Në fund të muajit gusht Yeffet u largua nga shoqëria, së bashku me Idrizin i cili mbeti si administrator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG