Lidhje

Trump: Bashkëpunimi i Manafort-it me hetimin për Rusinë, nuk më shqetëson


Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se nuk është i shqetësuar që kryetari i fushatës së tij në vitin 2016 Paul Manafort ka rënë dakord të bashkëpunojë me Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller në hetimin e gjerë që ai po kryen, për lidhje të mundshme të njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.

"Besoj se ai do të thotë të vërtetën" u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë ndërsa po nisej për në Karolinën e Veriut, për të parë nga afër dëmet e mëdha që kanë shkaktuar përmbytjet, pasojë e uraganit Florence. "Dhe nëse thotë të vërtetën, nuk ka problem", tha ai.

Zoti Manafort, arriti një marrëveshje me Prokurorin e Posaçëm Mueller javën e kaluar, duke rënë dakord t'i tregojë ato që ai di, lidhur me veprimet e fushatës së zotit Trump, në këmbim që zoti Mueller të rrëzojë disa akuza penale të ngritura kundër tij.

69 vjeçari Paul Manafort, një lobist me përvojë në Uashington, u deklarua fajtor për dy akuza lidhur me përpjekjet e tij lobuese fitimprurëse në funksion të ish-udhëheqësit ukrainas Viktor Janukoviç përpara se të përfshihej me fushatën e zotit Trump.

Në gusht, një juri në Virxhia e dënoi zotin Manafort për tetë akuza të lidhura me mashtrim bankar dhe me taksat, duke e gjetur atë fajtor për fshehjen e miliona dollarëve të ardhura, të fituara gjatë punës se kryer për Viktor Janukoviç-in. Ai gënjeu më pas për të ardhurat dhe pronat e tij, për kredi bankare, kur paratë nga udhëheqësi ukrainas mbaruan në vitin 2014, kohë kur ai u rrëzua nga pushteti falë një kryengritjeje popullore.

Zoti Manafort vazhdon të qëndrojë në burg, në pritje të dënimit që mund ta mbajë atë pas hekurave për një dekadë.

Nuk dihet se çfarë informacionesh po i jep Paul Manaforti Prokurorit të Posaçëm dhe ekipit të tij ligjor. Por ai ka patur rol në një ngjarje të rëndësishme që po heton zoti Mueller duke marrë pjesë në një takim të qershorit 2016 në kullën Trump në Nju Jork, selia e fushatës së kandidatit. Djali i madh i zotit Trump, Donald Trump Jr., organizoi takimin me një avokate, e cila i kishte thënë se përfaqësonte qeverinë ruse dhe se do t’i siguronte informacion inkriminues rreth kundërshtares demokrate të zotit Trump, ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton.

Më vonë djali i presidentit tha se nuk u ofrua asnjë informacion. Kur lajmi i takimit u bë publik, në fillimet e presidencës së tij zoti Trump i dha një deklaratë çorientuese gazetës “New York Times” në lidhje me qëllimin e takimit, por që atëherë ka thënë se nuk ka patur dijeni për takimin përpara se të ndodhte.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG