Lidhje

Goditet grupi kriminal “Bajri”, 11 të arrestuar


Në Shqipëri, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan sot goditjen e një prej grupeve më të rrezikshme kriminale “Bajri” i cili vepronte kryesisht në Veri të vendit e që kishte shtrirë aktivtetin dhe në vende europiane. Operacioni, i organizuar në kuadër të nismës “Forca e ligjit” e cila synon goditjen e organizatave më të mëdha kriminale në Shqipëri, u mbyll me arrestimin e 11 personave, dy prej të cilëve në Roterdam të Hollandës, nërsa të tjerët në Tiranë dhe Shkodër. Tre anëtar të grupit ishin arrestuar më parë gjatë ndërhyrjes që policia kreu në fillim të këtij muaji në Shkodër, pas një serie ngjarjesh të rënda që kishin ndodhur në këtë qytet. Dy persona të tjerë të dyshuara si anëtarë të grupit, janë shpallur në kërkim. Në pranga ka përfunduar dhe Safet Bajri, një prej personave të shumëkërkuar nga policia belge.

Goditet grupi kriminal "Bajri"
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë të shumta: "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë", në bashkëpunim, "Vrasje me dashje", e kryer në bashkëpunim, "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", "Organizim i llotarive të palejuara", "Pastrim i produkteve të veprës penale" të kryer në bashkëpunim, "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë", kryer në bashkëpunim, "Përkrahje e autorit të krimit", 'Moskallëzim krimi", "Prodhim e shitje e lëndëve narkotike". Sipas njoftimit zyrtar, këto vepra penale janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Polizia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda shpjeguan se “veprimet hetimore, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal "Bajri" kanë zgjatur mbi 6 muaj. Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktive në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv. Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë”.

Sipas njoftimit “si vepra të rënda kriminale, të dokumentuara deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe në 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.

Grupi "Bajri", në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit”. Në kuadër të operacionit, “policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG