Lidhje

Grupi “Bajri”, të arrestuarit mbeten në burg


Në Shqipëri, gjykata e Krimeve të Rënda konfirmoi sot masën e arrestit me burg ndaj anëtarëve të një prej grupeve më të rrezikshme kriminale “Bajri”, të arrestuar ditën e shtunë gjatë një operacioni që u zhvillua në Tiranë e Shkodër si dhe në Roterdam të Hollandës. Në total janë 11 të arrestuar, nga të cilët 2 në Hollandë, ndërsa tre të tjerë ishin prangosur më parë gjatë ndërhyrjes që policia kreu në fillim të këtij muaji në Shkodër, pas një serie ngjarjesh të rënda që kishin ndodhur në këtë qytet, e për të cilat dyshohet të jetë përgjegjës pikërisht ky grup.

Një prej të arrestuarve, Safet Bajri, përpara se të paraqitej në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u ballafaqua dhe me një seancë në Gjykatën e Shkodrës ku u njoh me masën “arrest me burg”, në kuadër problemeve që ai ka më drejtësinë belge ku është dënuar me 9 vjet burg për trafik droge dhe prostitucion.

Një tjetër emër i njohur, mes të arrestuarve është ai i Armir Grimajt, trajneri i kombëtares së futbollit për femra, dhe ish kandidat për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2013. Federata shqiptare e futbollit njoftoi sot pezullimin e tij të përkohshëm.

Përveç të arrestuarve, janë dhe dy persona të tjerë të shpallur në kërkim. Mes tyre Enver Bajri, i cili dyshohet të jetë dhe kreu i grupit. Sipas autoriteteve ai mendohet të jetë jashtë vendit e me shumë gjasa në Belgjikë, nga ky prej shumë kohësh drejtonte aktivitetin e organizatës. Fotoja e tij i është shpërndarë megjithatë të gjitha pikave kufitare si dhe Interpolit e policive të huaja.

Mbi grupin rëndojnë së paku 9 akuza të rënda, që nga vrajse, pastrim parash, e deri trafik të lëndëve narkotike. Sipas policisë, janë dokumentuar deri tani së paku dy vrasje të ndodhura në vitin 2001 dhe 2002, ndërsa “gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash”. Grupi "Bajri", në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit”. Në kuadër të operacionit të së shtunës u sekuestrua 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të grupit, “pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG