Lidhje

Udhëheqësit botërorë reagojnë pas fjalimit të Pres. Trump


Fjalimi i Presidentit Donald Trump para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku u theksua përsëri motoja e tij “Amerika, në Plan të Parë,” u prit me reagime të përziera nga udhëheqësit botërorë. Presidenti Trump kishte lexuar vetëm disa paragrafë nga fjalimi i tij kur dëgjoi një reagim të pazakontë nga salla:

“Në më pak se dy vjet, administrata ime ka përmbushur më shumë se thuajse çdo administratë tjetër në historinë e vendit tonë. Është e vërtetë... (Të qeshura nga salla)... Nuk e prisja këtë reagim, po s’ka problem,” tha presidenti.

Zoti Trump përmendi tema të ngjashme me ato që kishte theksuar në fjalimin e vjetshëm, duke vlerësuar patriotizmin mbi globalizmin. Disa udhëheqës reaguan.

Presidenti i Francës nënvizoi ngrohjen globale duke u bërë thirrje vendeve të mos përfshihen në marrëveshje tregtare me vende që nuk respektojnë Marrëveshjen e Parisit, të cilën Amerika e braktisi:

“Nuk do të nënshkruajmë marrëveshje tregtare me vende që nuk respektojnë Marrëveshjen e Parisit. Duhet të sigurohemi që në traktatet tona tregtare të përfshijmë edhe kushte për mjedisin dhe problemet sociale,” tha Presidenti Macron.

Para fjalimit, Presidenti Trump kritikoi ashpër Iranin:

“Irani duhet të ndryshojë qëndrim para se të takohem me ta. Ata duan të takohen, por unë nuk do të pranoj takim deri kur të ndryshojnë qëndrim. Do të bëhet sepse nuk mendoj se kanë zgjidhje tjetër. Mirëpresim një marrëdhënie shumë të mirë me Iranin”.

Në fjalimin e udhëheqësit iranian nuk u vërejt zbutje toni:

“Po e filloj këtë dialog në këtë moment dhe deklaroj me terma të padebatueshme se çështja e sigurisë ndërkombëtare nuk është lojë e politikës së brendshme amerikane. Kombet e Bashkuara nuk bëjnë pjesë në administratën amerikane,” tha Presidenti Ruhani.

Disa ekspertë thonë se akte si tërheqja nga paktet ndërkombëtare, apo vendosja e tarifave mbi importet është pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndryshuar status kuonë.

“Kjo është shumë e dëmshme për rendin e krijuar pas Luftës II Botërore që në fakt u ndërtua nga Shtetet e Bashkuara. Amerika është arkitektja dhe mbrojtësja kryesore e këtij rendi. Është largim i ndjeshëm nga kjo traditë që njerëz në Uashington po përpiqen ta shkatërrojnë këtë rend,” thotë Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë.

Fjalimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vazhdojnë këtë javë deri të premten. Gjatë tre ditëve të ardhshme në rendin e ditës janë ambicjet e Koresë së Veriut dhe përhapja e armëve bërthamore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG