Lidhje

Gazetarët britanikë: Putini gënjeu lidhur me të dyshuarit për helmimin në Salisbury


Eliot Higgins and Christo Grozev of Bellingcat at their press conference in London October 9 2018.
Eliot Higgins and Christo Grozev of Bellingcat at their press conference in London October 9 2018.

Themeluesi i grupit investigativ britanik Bellingcat thotë se presidenti rus Vladimir Putin gënjeu kur tha se nuk i kishte takuar kurrë asnjë nga dy të dyshuarit për sulmin në Angli me substancën nervore helmuese Novichok. Besohet se dy agjentët rusë kanë udhëtuar me emra të rremë në Salisbury në muajin mars, në një përpjekje për të helmuar ish-agjentin rus Sergey Skripali. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës Zlatica Hoke, zoti Putin i ka nderuar dy të dyshuarit me medalje të federatës ruse lidhur me operacionet e tyre të fshehta në Ukrainë.

Gazetarët investigativë britanikë dhe kolegët e tyre rusë identifikuan personin e dytë mes dy të dyshuarve të filmuar nga kamerat në Britani si Aleksandër Mishkin, një mjek që punon për Shërbimin e Zbulimit Ushtarak rus.

"Fakti më interesant është se atij i ështe dhënë ylli i heroit të Rusisë, çmimi më i rëndësishëm për një ushtarak. Në një raft të shtëpisë gjyshja e tij ka dhe një fotografi të Vladimir Putinit tek i vendos yllin në gjoks", thotë Roman Dobrokhotov i organizatës ruse të lajmeve “The Insider”.

Sipas hetimeve Vladimir Putini ka nderuar si Alexander Mishkinin ashtu edhe të dyshuarin tjetër Anatoli Chepiga lidhur me operacionet e tyre në Ukrainë. Më parë Presidenti rus Vladimir Putin ka mohuar se i njeh të dyshuarit. Të martën Kremlini refuzoi të komentojë gjetjet e reja.

"Fakti që Putini e ka mohuar se dinte diçka mbi këtë çështje është një gënjeshtër e qartë. Ne ia kemi dalë ta kapim dy herë në gënjeshtër Putinin, pasi edhe i dyshuari tjetër që identifikuam ishte një hero i Rusisë dhe e ka marrë dekoratën nga vetë Vladimir Putini", thotë Eliot Higgins i Grupit Investigativ Bellingcat.

Por sipas një analisti ushtarak rus për politikanët në Moskë, fakti që kapen duke gënjyer është i parëndësishëm.

"Të gjithë në Rusi besojnë se “nachalnik” pra elita qeverisëse gënjen gjithmonë dhe kjo është ajo që pritet prej tyre, të thonë gënjeshtra. Ky nuk është Perëndimi është tjetër shoqëri", thotë Pavel Felgenhauer.

Analistët thonë se shtypi rus kanë shumë gjasa të ngrejë dyshime rreth aftësive të shërbimit sekret pas operacionit të dështuar. Por një ligjvënës britanik paralajmëron rreth nënvlerësimit të Moskës në këtë drejtim.

"Mendoj se për ne është e rëndësishme të kuptojmë kërcënimin që paraqesin shtetet autoritare që përdorin sulmet kibernetike, spiunazhin tradicional dhe vrasjet si dhe sigurohemi që të mbrojmë veten, Britaninë, Francën, të gjitha shtetet evropiane dhe Amerikën", thotë Bob Seely.

Ish-agjenti rus Sergey Skripali dhe vajza e tij Julia u helmuan me Novichok-un që operativët e dyshuar rusë mendohet se e kishin vendosur në hyrje të shtëpisë së tyre. Skripalët ia dolën t’i mbijetojnë sulmit ndërsa në një incident që nuk lidhet me rastin, një grua britanike vdiq si pasojë e kontaktit me agjentin nervor ushtarak

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG