Lidhje

Dy oficerë grekë akuzohen për trafik droge me Shqipërinë


Polica greke tha sot se arrestoi gjatë një operacioni që nisi të premten në mbrëmje një grup prej 12 personash që akuzohen për trafik narkotikësh, nëntë prej të cilëve shqiptarë dhe dy oficerë të policisë greke.

Mjetet greke të informimit njoftuan të shtunën se hetimet paraprake kanë zbuluar se një nga dy oficerët e policisë greke të akuzuar për përfshirje në grupin e trafikut të drogës kishte marrë një leje për kujdesin e fëmijëve nga shërbimi i tij dhe polici i dytë kishte marrë gjithashtu një pushim mjekësor. Sipas aktakuzës të dy oficerët e policisë kishin marrë pjesë rregullisht në shitjen e drogës dhe kishin kontakt pothuajse të përditshëm me pjesën tjetër të bandës.

Nga burimet mediatike greke mësohet se një nga oficerët e policisë shërbente në një strukturë të rëndësishme të sigurisë së Atikës dhe ishte transferuar kohët e fundit në shërbimin e ri të patrullave policore në qendër të Athinës.

Por sipas mediave greke ai ende nuk ishte shfaqur në pozicionin e tij të ri pasi mori një pushim të gjatë mjekësor. Polici i dytë, që shërbente në Grevena, zoën veriore greke afër kufirit me Shqipërinë akuzohet se kishte vepruar në terren duke bashkëpunuar me rrjetin e trafikantëve të drogës. Sipas mediave greke një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se kishte një rol udhëheqës në grupin e trafikut, arriti t`i shpëtojë arrestimit pak minuta para operacionit policor.

Greqia është destinacioni i dytë i lëndëve narkotike nga Shqipëria pas Italisë. Rrjetet kriminale shfrytëzojnë kryesisht brezin e kufirit tokësor mes të dy vendeve për të transportuar sasi të mëdha marijuana, por viteve të fundit edhe sasi në masë të vogël të heroinës dhe kokainës. Lënda narkotike transportohet në zonat kufitare greke me korrierë shqiptarë dhe më pas transferohet nga rrjetet shqiptaro-greke me automjete për në thellësi të Greqisë dhe sidomos drejt zonave turistike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG