Lidhje

Sauditët kundërshtojnë kërcënimin e presidentit Trump


Arabia Saudite hodhi poshtë kërcënimin e Presidentit Trump për ta dënuar atë lidhur me zhdukjen e gazetarit saudit Xhamal Kashoggi, duke thënë të dielën se do të hakmerret me veprime më të mëdha ekonomike nëse Trumpi do të sanksiononte Rijadin.

Tregu saudit i aksioneve u ul me 7 për qind përpara se të mëkëmbej me një humbje prej pesë për qind për ditën, pasi presidenti Trump tha për kanalin CBS se do të kishte "dënime të rënda" nëse përcaktohet, siç beson Turqia, se agjentët sauditë vranë Kashogin brenda konsullatës së Rijadit në Stamboll dy javë më parë . Sauditët kanë thënë se akuza është "e pabazë", por nuk kanë dhënë asnjë provë se Kashogi u largua nga posti diplomatik pasi shkoi për të marrë dokumente për martesën e tij të ardhshme.

Agjencia saudite e shtypit citoi një burim të paidentifikuar qeveritar të ketë thënë se: "Mbretëria refuzon totalisht çdo kërcënim dhe përpjekje për ta minuar atë, qoftë duke kërcënuar të imponojë sanksione ekonomike, duke përdorur presione politike ose duke përsëritur akuza të rreme".

Në deklaratë thuhet se qeveria saudite "gjithashtu pohon se nëse merret ndonjë veprim, ajo do të reagojë me veprime më të mëdha", duke vënë në dukje se ekonomia e saj, si eksportuesi më i madh i naftës në botë "ka një rol me ndikim dhe jetësor në ekonominë globale".

Trump, në fragmente të publikuara të shtunën nga një intervistë që do të transmetohet të dielën në programin “60 Minuta” të kanalit CBS, paralajmëron se do të ketë "dënime të rënda" për Arabinë Saudite nëse vërtetohet se Kashogi u vra brenda konsullatës saudite. Kashogi jetonte në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara dhe kishte kritikuar princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në artikuj redaksionalë të shkruar për gazetën The Washington Post.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG