Lidhje

Paralajmërimi ndaj portaleve, OSBE e shqetësuar


Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, shprehu të enjten shqetësim ndaj paralajmërimit që Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare bëri pak ditë më parë ndaj 44 portaleve mediatike për mbylljen e tyre nëse nuk rregjistroheshin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe të pajiseshin me NIPT brenda 72 orësh. Zoti Désir, i cili i ka dërguar një letër të posaçme për këtë çështje kryeministrit Edi Rama thekson se “shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online".

Ndërhyrja e AKEP-it, pasoi një paralajmërim të bërë javën e shkuar përmes Twitterit nga kryeministri Rama në kuadër të asaj që ai e ka cilësuar si një paketë masash anti shpifje. Nga diskutimi i kësaj pakete “del qartë se urbanizimi i xhunglës online nis nga legalizimi i portaleve. Legalizimi mund të bëhet në pak minuta përmes regjistrimit online në QKB. Duke qenë se janë fantazma pa adresë e pa emër,uroj ta lexojnë këtë mesazh para ditës së hënë”, shkroi kryeministri. Dhe pikërisht dita e hënë, ishte momenti kur AKEP-i publikoi listën me emrat e 44 portaleve, një pjesë e mirë e të cilave deklaruan se ato janë tashmë të rregjistruara pranë autoriteteve tatimore qoftë si biznese qoftë si organizata jofitimprurëse. Ekspertë të fushës e konsideruan si “të pavend dhe në kapërcim të kompetencave të saj”, ndërhyrjen e Autoritetit të Komunikimeve.

Edhe Përfaqësuesi i OSBE-së, Désir, u shpreh se “është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“. Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Ndërsa në letrën dërguar kryeministrit, Përfaqësuesi i OSBE-së solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se “çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së”.

Me shqetësim për situatën e krijuar reagoi dhe Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Civil Rights Defenders, e cila u bëri thirrje autoriteteve shqiptare ”të heqin dorë nga të gjitha masat që mund të frenojnë lirinë e medias dhe të shprehjes dhe dënon fuqishëm Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë për lëshimin e ultimatumit për 44 portalet e lajmeve”. Sipas organizatës “vendimi i Kryeministri të vendit Edi Rama, se të gjitha portalet e lajmeve në vend duhet të regjistrohen dhe të kenë një NIPT , thyen rëndë lirinë e shprehjes dhe rrit ndërhyrjet qeveritare mbi numrin e kufizuar të mendiave të lira ende ekzistente”. Përmes një deklarate, Vasilika Laci, drejtuese e programit të Civil Rights Defenders në Shqipëri theksoi se “në vend të kërcënimeve për mbylljen e portaleve, Qeveria duhet të sigurojë që parashikimet ligjore ekzistuese po zbatohen korrektësisht. Për të rregulluar bazën ligjore të publikimeve online, shteti duhet të përgatisë një draft/ligj për median online në bashkëpunim me të gjithë aktorët e interesuar dhe në mënyrë transparente”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG