Lidhje

Policia turke kërkon për trupin e gazetarit Kashogi në një pyll pranë Stambollit


Policia turke po kërkon për trupin e gazetarit saudit Xhamal Kashogi në një pyll pranë Stambollit dhe në një vend tjetër rreth 90 kilometra në jug të qytetit.

Zyrtarët turq deklaruan se policia po kryen kërkime për gazetarin e zhdukur në pyllin Belgrad Ormani dhe në qytetin e Yalovës.

Në një zhvillim tjetër, autoritetet turke mohuan të kenë ndarë me zyrtarët amerikanë një regjistrim audio të vrasjes së supozuar të Kashogit.

Raportimet e medias thanë se Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dëgjoi regjistrimin këtë javë kur vizitoi Turqinë.

"Unë nuk kam parë asnjë kasetë ... Nuk kam dëgjuar asnjë kasetë, nuk kam parë transkript", tha zoti Pompeo gjatë një udhëtimi në Amerikën e Jugut.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha: "Ne do t'i ndajmë rezultatet e hetimit me të gjithë botën".

I pyetur të enjten nga gazetarët nëse Kashogi ka vdekur, Presidenti amerikan Donald Trump u përgjigj "kështu duket" duke shtuar se kjo është "shumë e trishtueshme".

Do të ketë pasoja "shumë të rënda" nëse sauditët e kanë vrarë atë, premtoi presidenti Trump, duke folur nga baza ajrore Andrews përpara se të hipte në avionin Air Force One.

Administrata e Trump është e gatshme t'i japë Arabisë Saudite pak më shumë kohë për të përfunduar hetimin e saj ndaj akuzave turke se agjentë nga mbretëria vranë Kashogin brenda konsullatës së Rijadit në Stamboll.

Pas takimit me udhëheqësit saudit dhe turq këtë javë, Sekretari i Shtetit Pompeo informoi presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë të enjten, duke i kërkuar atij që t'i japë Arabisë Saudite disa ditë të tjera kohë për të përfunduar hetimin e zhdukjes së gazetarit që jetonte në shtetin amerikan të Virxhinias.

Pasi Uashingtoni të vlerësojë raportin saudit, tha Pompeo, "atëherë Shtetet e Bashkuara do të përcaktojnë se çfarë mund të jetë përgjigja e duhur".

Pompeo tha se ka "shumë variante për atë që mund të ketë ndodhur" me Kashogin, por nuk pranoi të spekulonte për rezultatet e hetimeve në Arabinë Saudite dhe Turqi. Diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se beson se nga hetimet do të dale "një pamje e plotë e asaj që ndodhi".

Pompeo tha se i tha Mbretit Saudit Salman dhe udhëheqësit de facto të vendit, princit të kurorës Mohammed bin Salman, se Shtetet e Bashkuara po e shohin me shumë seriozitet rastin e Kashogit por gjithashtu vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë pasur një "aleancë strategjike" për dekada të tëra.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Steven Mnuchin tha se nuk do të marr pjesë në konferencën e investimeve saudite të javës së ardhshme në Rijad. Konferenca është projektuar për të shfaqur përpjekjet e princit të kurorës për të diversifikuar ekonominë saudite përtej rolit të saj si eksportuesi kryesor i naftës në botë. Shumë drejtues të korporatave perëndimore janë tërhequr tashmë nga konferenca tre-ditore pasi Arabia Saudite përpiqet t’i përgjigjet pyetjeve rreth fatit të Kashogit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG