Lidhje

Çështja e karvanit të emigrantëve nga Amerika qendrore


A Honduran migrant, part of a caravan trying to reach the U.S., cries after others stormed a border checkpoint in Guatemala, in Ciudad Hidalgo, Mexico, Oct. 19, 2018.

Emigrantët nga Amerika qendrore, që udhëtojnë në një karvan masiv drejt Shteteve të Bashkuara, çanë një gardh kufitar mes Guatemalës dhe Meksikës të premten, dhe u përballën me një numër policësh në anën e Meksikës. Qeveria meksikane i ka premtuar Shteteve të Bashkuara se do të përballet me karvanin.

Pamjet televizive nga Meksika tregojnë qindra emigrantë që kaluan nga pika kufitare e Guatemalës dhe hynë në një urë që lidh Meksikën dhe Guatemalën. Në anën tjetër të kufirit, emigrantët u ndeshën me një numër policësh meksikanë.

Dëshmitarët thonë se disa nga ata i gjuajtën me gurë dhe objekte të tjera forcave meksikane të sigurisë.

Të premten në mbrëmje, presidenti meksikan Enrique Pena Nieto deklaroi në një lajmërim televiziv se “Meksika nuk lejon dhe nuk do të lejojë hyrjen në mënyrë të parregullt në territorin e saj, sidomos hyrjen në mënyrë të dhunshme”.

Presidenti i Honduras Juan Orlando Hernandez dhe presidenti i Guatemalës Jimmy Morales do të takohen të shtunën për të diskutuar situatën.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkoi në kryeqytetin Mexico City të premten për të diskutuar “sfidën” e karvanit me homologun e tij Luis Videgaray.

“Ishte një bisedë e mirë. Jemi bashkarisht të përqëndruar në çështjen e karvanit. Qeveria meksikane po merr të gjitha vendimet për mënyrën e trajtimit të çështjes dhe janë plotësisht të angazhuar. Kanë dërguar 500 forca federale në pikat kufitare. Dua të shpreh mbështjetjen time, se deri tani, katër policë të tyre janë plagosur” tha Sekretari i Shtetit.

Karvani prej rreth tre mijë njerëzish u nis nga San Pedro Sula në Honduras në fund të javës së kaluar , me shpresën se përfundimisht do të arrinin në Shtetet e Bashkuara.

“Erdha sepse në vendin tim nuk ka punë, nuk ka asnjë mënyrë për të mbështetur fëmijët. Kam dy fëmijë të tjerë dhe ata janë arsyeja që jam nisur rrugëve, sepse kur dikush nuk ka asgjë dhe fëmijët kërkojnë për diçka, nuk dimë se çfarë të bëjmë” thotë Daisy, një emigrante.

Të enjten, presidenti Trump kërcënoi të dërgonte ushtrinë për të mbyllur kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, nëse Meksika nuk e ndal atë që ai e quan një “sulm” të emigrantëve të Amerikës Qendrore.

Qeveria meksikane ka thënë se çdo emigrant që vendos të kalojë në mënyrë të paligjshme do të ndalohet dhe dëbohet.

Hondurasi është një nga kombet më të dhunshme në botë, pjesërisht për shkak të bandave dhe drogave.

Shumë nga ata që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara duan të shpëtojnë nga dhuna dhe varfëria.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG