Mijëra emigrantë nga Amerika Qendrore vazhduan udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara nëpërmjet Meksikës të dielën, pavarësisht përpjekjeve meksikane për t'i ndaluar ata.
Karvani i emigrantëve, i cili filloi në Honduras javën e kaluar, u ndalua nga autoritetet meksikane në një urë në kufirin e saj me Guatemalën, por shumë njerëz notuan ose përdorën varka të improvizuara për të kaluar kufirin.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, i cili po monitoron karvanin, ka paralajmëruar për kërcënimin e veprimtarive kriminale ndaj atyre që udhëtojnë përmes Meksikës.
"Ndërsa po e ndjekim nga afër krizën e karvanit, duhet të jemi të vëmendshëm për organizatat kriminale ndërkombëtare dhe kriminelë të tjerë që shfrytëzojnë dobësitë e atyre që po ndërmarrin këtë rrugë të parregullt të migracionit", tha në një deklaratë të dielën sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kirsten M. Nielsen duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të punojë me partnerët në rajon "për të hetuar dhe ndjekur penalisht me gjithë forcën e ligjit të gjithë ata që kërkojnë të inkurajojnë dhe përfitojnë nga migracioni i parregullt".
Kryqi i Kuq tha në një deklaratë të shtunën se "shumë nga njerëzit që mbështesin, shumica gra dhe fëmijë, po vuajnë nga dehidrimi, infeksionet e stomakut dhe plagët në këmbë".
Walter Cotte, drejtor rajonal për Amerikën në Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, tha në një deklaratë: "Është e domosdoshme që dinjiteti dhe siguria e familjeve të ruhen dhe ata të mbahen së bashku".
Karavani me rreth 3,000 njerëz u nis nga San Pedro Sula në Honduras në fund të javës së kaluar, duke bërë udhëtimin nëpër rrugët e xhunglës me baltë të Guatemalës për të arritur në Meksikë dhe duke shpresuar përfundimisht për të arritur në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se nëse Meksika nuk arrin të ndalë karvanin e emigrantëve që filloi në Honduras, ai do të ndërpresë ndihmën rajonale, do të mbyllë kufirin e SHBA-Meksikë dhe do të dislokojë atje trupa.
Facebook Forum