Lidhje

Financimet për zgjedhjet e mesit të mandatit


Zgjedhjet e mesit të mandatit për Kongresin amerikan po afrojnë dhe demokratët kanë siguruar shumë financime. Analistët thonë se ndjenjat anti-Trump mund të jenë arsyeja që kontributet financiare për demokratët kanë arritur nivel rekord, ndërsa ata përpiqen t’u marrin republikanëve kontrollin e Kongresit. Zgjedhjet e mesit të mandatit kësaj here po bëhen më të kushtueshmet në historinë e Kongresit amerikan. Por pikëpyetja mbetet, nëse kontributet e demokratëve për fushatën janë të tilla për t’u marrë republikanëve një numër të mjaftueshëm vendesh në mënyrë që të sigurojnë shumicën në Kongres.

Në garën për në Kongres demokratët janë duke fituar “lojën” e financimeve.

Këtë javë, Komisioni Federal i Zgjedhjeve, njoftoi se kandidatët për në Kongres kanë siguruar një shifër rekord prej 2,3 miliardë dollarësh në ciklin e tanishëm zgjedhor.

Avantazhi i demokratëve në këto financime? Më tepër se 400 milionë dollarë.

Sarah Bryner e Qendrës për Politika të Përgjegjshme thotë se kjo përbën shqetësim për republikanët e zgjedhur.

“Fakti që demokratët ia kanë kaluar me financime, tregon se gara ka për të qenë një sfidë.”- thotë Sarah Bryner, drejtoreshë në Qendrën për Politika Përgjegjëse.

Republikanët dolën po aq mirë, ose ua kaluan demokratëve në fondet e krijuara nga Komitetet për Veprim Politik (PAC). Por demokratët siguruan shumë më tepër fonde nga kontributet individuale përmes internetit dhe me aktivitetet për mbledhje fondesh.

Shumica e fondeve përdoren për blerjen e reklamave të kushtueshme televizive, që mbetet mjeti i preferuar i kandidatëve për t’u drejtuar votuesve.

“Fushtatat janë të kushtueshme në vendin tonë, për shkak të kostos së televizionit.”- thotë ish kongresmeni Martin Frost, tani President i Shoqatës për ish anëtarët e Kongresit.

Frost thotë se financimet masive për demokratët reflektojnë një shtim të entuziazmit në radhët e anëtarëve të thjeshtë të Partisë.

“…Në Shtetet e Bashkuara ka një numër të madh demokratësh, shumë prej të cilëve japin kontribute të vogla; ata nuk e duan aspak Presidentin Trump dhe duan të japin një mesazh me këto zgjedhje.”- thotë zoti Frost.

Shtimi i financimeve për demokratët po i detyron republikanët ta rimendojnë strategjinë e financimit të fushatës së tyre. Ata po i zhvendosin financimet nga kandidatët e dobët, tek ata më të fuqishëm.

Michael Steele, ish kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan, paralajmëron se fitorja nuk është e garantuar vetëm nga fondet.

“Shumë njerëz i mbivlerësojnë financimet dhe i shohin ato si rrezikun që i kanoset politikës amerikane, por unë them se ka patur po aq gara ku kandidati më i financuar ka humbur, sa edhe kur ai ka fituar.”

Demokratët duhet të sigurojnë 23 vende më tepër për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Pëfaqësuesve. Analistët thonë se ata kanë shanse të mira, edhe pse shpresat e demokratëve për të rimarrë kontrollin e Senatit janë zbehur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG