Lidhje

 Goditet “Grupi i Shijakut”, operacion dhe për Balilin


Në Shqipëri, policia ka goditur të dielën një nga grupet kriminale më aktive, në trafikun e heroinës nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Në pranga kanë përfunduar anëtarët e “Familjes Avdyli”: vëllezërit Astrit, Flamur dhe Shkëlqim Avdylin, si dhe kushëriri i parë i tyre Jasim Avdyli, i dënuar më parë në Itali për vrasjen e një marshalli të policisë italiane së bashku me H. Hoxhën, i dënuar në Turqi për trafik heroine. Bashkë me ta mësohet të jenë arrestuar dhe mbi 20 persona të tjerë. Vëllezërit Avdyli dyshohen për një sërë veprash penale, nga vrasje në prostitucion, trafik droge dhe krime të tjera. Ata zotërojnë një numër të madh aktivitetesh biznesi, mes të cilave dhe një hotel luksoz në Plazhin e Durrësit.

Goditja e “Familjes Avdyli”, ishte pjesë e një operacioni të gjerë të ndërmarrë në disa qytete ndaj grupeve të përfshira në trafikun e dogës. Një urdhër arresti ishte lëshuar dhe për Lulzim Berishën, i konsideruar si një ndër personazhet e fuqishëm të krimit në Shqipëri, i cili fitoi lirinë, pas një vendimi të dyshimtë të Gjykatës së Durrësit. Policia kontrolloi banesën e tij, por sipas disa të dhënave, Berisha, prej kohësh jeton më së shumti jashtë vendit.

Ndërkohë, gjatë mbrëmjes të së dielës, një tjetër operacion është zhvilluar në Sarandë, ku objektivi ka qenë Klement Balili, emri i të cilit u bë i njohur pasi grupi i tij u godit në Greqi, falë një hetimi ku ishte përfshirë dhe DEA amerikane. Balili konsiderohet si Escobari i Ballkanit. Gjykatat greke e dënuan atë me burgim të përjetshëm.

Në Shqipëri, ai punonte si zyrtar i shtetit, i emëruar drejtor i Transportit në Sarandë. Disa përpjekje të njëpasnjëshme të policisë për kapjen e tij kanë përfunduar pa sukses. Disa herë me radhë, ambasadori amerikan ka folur për rastin e tij, duke e konsideruar pamundësinë e arrestimit të tij një dështim. “Balili është një bos i fuqishëm i krimit të organizuar me lidhje politike. Për dy vjet, qeveria, policia dhe prokurorët nuk kanë pasur aftësinë ose vullnetin që ta arrestojnë”. Kërkimet gjatë operacionit të së dielës janë përqëndruar në zonën mes Sarandës dhe Delvinës, ku janë përfshirë njësitë speciale të Policisë.

Gjatë javës së shkuar policia dhe Prokuroria shqiptare zbuluan dhe një laborator të prodhimit të heroinës në zonën e Hasit. Ndërsa ende për të nuk ka patur informacione zyrtare, mësohet se të paktën 150 kilogram drogë e dyshuara heroinë është gjetur e paketuar, e gatshme për t’u transportuar. Janë 6 persona të arrestuar, mes të cilëve dhe një biznesmen turk.

Mbrëmjen e së dielës, operacionet e policisë u përshëndetën nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca. “Ne mirëpresim operacionin e gjerë antidrogë të ndërmarrë sot në qytete të ndryshme nga Policia e Shtetit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është një prioritet kryesor për BE-në. Presim që ndjekjet penale dhe dënimet të vazhdojnë me rezultate të qëndrueshme”, shkruajti ambasadori Soreca.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG