Lidhje

Pentagoni shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave në kufirin jugor


Pentagoni po shqyrton mundësinë e dërgimit të qindra trupave në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump përsëriti të enjten se do të vihej në dispozicion ushtria për të mos lejuar imigrantët nga Amerika Qendrore që të hyjnë në territorin amerikan.

Një zyrtar amerikan konfirmoi për Zërin e Amerikës se Pentagoni e ka marrë kërkesën nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për trupa për të ndihmuar agjentët e patrullimit të kufirit. Zyrtari, duke folur nën kushtet e anonimitetit tha se në kërkesë nuk ishte përcaktuar numri i trupave pasi ai vendoset nga Pentagoni, në varësi të nevojës për ta.

Trupat do të mbështesin mbi 2 mijë trupa të Gardës Kombëtare që janë të dislokuara.

Presidenti Trump i është referuar karvanit të imigrantëve, që është mbi 1 mijë e 600 kilometra larg kufirit më të afërt të Shteteve të Bashkuara, si “emergjencë kombëtare”.

"Do të nxjerr ushtrinë për këtë Emergjencë Kombëtare. Ata do të ndalohen”, shkruante zoti Trump në Twitter të enjten.

Zoti Trump tha gjithashtu se ishte dakord me një zyrtar të një sindikate të rojave të kufirit se është faji i demokratëve që imigrantët kërkojnë strehim në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan ka denoncuar Hondurasin, El Salvadorin dhe Guatemalëm që nuk i kanë ndaluar qytetarët e tyre që të niseshin për në Shtetet e Bashkuara. Ai tha të hënën se do të fillonte ndërprerjen e ndihmës së huaj për ato vende dhe javën e kaluar paralajmëroi se do të përdorte trupat ushtarake për të mbyllur kufirin.

XS
SM
MD
LG