Lidhje

Ngjarja në Bularat, ambasadorja greke thirret në Ministrinë e Jashtme


Në Shqipëri, ambasadorja e Greqisë u thirr të martën në Ministrinë e Jashtme, për ngjarjen e ndodhur të dielën në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ku 35 vjeçari Kostantinos Kacifa, pjestar i minoritetit grek, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. “Ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme shqiptare, sipas së cilës “u përsërit thirrja për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”.

Një ditë më parë dhe autoritetet greke kishin thirrur në ministrine e tyre të Jashtme ambasadoren e Shqipërisë, po për këtë çështje, ndërsa të dielën palët kishin shkëmbyer replika në distancë mes tyre. Fillimisht ishte Athina zyrtare e cila përmes një komunikate u shpreh se “në çdo rast është e papranueshme që një operacion të shkojë deri aty së të humbasim një jetë”, duke shtuar më tej se pret nga autoritetet shqiptare “sqarimin e plote të kushteve në të cilat humbi jetën shtetasi grek”. Ministria e Jashtme shqiptare reagoi duke u shprehur “zhgënjim për reagimin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për "humbje jete të papranueshme". Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet në zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit shqiptar”, theksoi deklarata e ministrisë shqiptare.

Autoritetet greke kërkuan gjatë ditës së djeshme që ato të merrnin pjesë në hetimin e çështjes. Por në deklaratën e së martës të ministrisë së Jashtme shqiptare saktësohet se ambasadores greke “i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare. Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Me kërkesë të familjarëve të Kocifas, trupi i tij do t’i nënshtrohet një ekspertizë mjeko-ligjore më të detajuar në Tiranë, ku mendohet se do të jenë të pranishëm dhe një avokat i familjes si dhe një ekspert grek, i thirrur po nga familja e Kocifas.

Për ngjarjen reagoi të martën në mbrëmje dhe Presidenti Ilir Meta. Zëdhënësi i tij theksoi se Kreu i Shtetit shqiptar “vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke. Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie. Presidenti Meta – vijoi më tej zëdhënësi Tedi Blushi - vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive”.

Presidenti Meta dënoi dhe shfaqjen mbrëmjen e së hënës gjatë një ndeshjeje futblli në Tiranë të një banderole me tone raciste antigreke, e cila u hoq menjëherë me kërkesë të delegatit të ndeshjes. Për Kreun e Shtetit shqiptar, ajo parullë “është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme”. Incidenti u dënua me tone të ashpra dhe nga Federata shqiptare e futbollit.

Të dielën, sipas shpjegimeve të policisë shqiptare, Kocifas ka nisur të qëllojë në ajër në fshatin Bularat, ndërsa ka pritur me të shtëna dhe mbërritjen e forcave të policisë lokale. Në ndjekje të tij më vonë janë vënë forcat speciale të repartit RENEA. “Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, shtetasi Kostandinos Kaçifa , ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre. Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit. Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje, të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa”, saktësoi policia shqiptare pas ngjarjes. Një video e marrë me celular, tregon momentet kur Kacifa qëllon ndërsa është brenda fshatit, kurse arma që ai mban në duar duket të jetë e pajisur dhe me dylbi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG