Lidhje

Shqipëri, hapet rruga për ngritjen e KLP-së


Në Shqipëri është hapur rruga për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Thirrjes së dytë për një vend nga prokurorët e Apelit i është përgjigjur prokurori i Apelit i Krimeve të Rënda Bujar Sheshi. Kandidatura e zotit Sheshi zgjidh përfundimisht ngërçin e krijuar, pasi ai ka kaluar tashmë edhe testin e verifikimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi atë në detyrë javën e shkuar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë. 6 zgjidhen nga radhët e prokurorëve, nga të cilët 3 nga Prokuroritë e e Shkallës së Parë. Për këto 3 vende janë kualifikuar 5 kandidatë:

Dritan Prençi - Prokuroria Kukës

Vat Staka -Prokuroria Shkodër

Antoneta Sevdari - Prokuroria Tiranë

Gentian Osmani - Prokurori e Krimeve të Rënda

Besnik Muci – Prokuroria e Krimeve të Rënda

Nga këta Dritan Prenci, është i vetmi nga jashtë Tiranës e pritet të kalojë automatikisht. Të tjerët do t’i nënshtrohen votimit për dy poste

Për dy vende nga Prokuroritë e Apelit janë vetëm dy kandidatë, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës e tanimë dhe Bujar Sheshi. Dy kandidaturat e tjera, Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u rrëzuan.

Ndërsa për një vend nga Prokuroria e Përgjithshme janë kualifikuar dy prokurorë që kanë kaluar testin

Anila Leka Prokurori e Përgjithshme

Kostaq Beluri Prokurori e Përgjithshme

Formalisht do të duhet të pritet mbyllja e procesit të rivlerësimit dhe për disa kandidatë të tjerë, përpara se të thirret mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve e cila bën përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ngritja e këtij Këshilli i hap rrugë zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, si dhe ngritjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nga e cila do të varet më pas dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, dy institucionet të cilat konsiderohen kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nga ana tjetër, ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, do të duhet të presë procesin e rivlerësimit për një nga dy kandidatët që kanë aplikuar në thirrjen e dytë për vendin e mbetur bosh nga gjyqtarët e gjykatave të Apelit. Për 6 anëtarët nga radhët e gjyqësorit pati gjithsej 14 kandidatura, nga të cilët vetëm 9 kaluan procesin e rivlerësimit.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar. Nga këta Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit bën që të plotësohet kriteri për një anëtar nga Gjykatat e rretheve, dhe ajo automatikisht siguron vend në KLGJ e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët, do t’i nënshtrohen votimit për dy vendet e tjera.

Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë, i vetmi i rikonfirmuar në detyrë, pas procesit të rivlerësimit, është anëtari i saj Medi Bici. Kandidati tjetër, për në KLGJ, Artan Zeneli u rrëzua.

Sa i përket dy vendeve me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar dy kandidatë, Ilir Toska (Gjykata Apelit Tiranë) dhe Nertina Kosova (Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda). Por që të dy vijnë nga Tirana. I vetmi që kishte konkurruar nga rrethet ishte Besim Trezhnjeva i Apelit të Durrësit i cili u rrëzua.

Për këtë arsye Gjykata e lartë hapi në muajin gusht thirrjen, duke u detyruar ta përsërisë atë në fillim të shtatorit. Nga kandidatët e paraqitur Brikena Ukperaj, nga Apeli i Vlorës, e ka kaluar procesin e rivlerësimit, duke qenë se ishte kandidate për në Këshillin e Emërimeve, ndërsa kandidati tjetër Luan Dervishi, nga Apeli i Shkodrës, do t’i nënshtrohet verifikimit. Edhe nëse ai nuk konfirmohet, ngritja e KLGJ-ës nuk do të mund të pengohet më tej.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG